Fenomeni “Veriana Gega” nuk ka të ndalur. Zonja Gega vazhdon të mbajë peng mijëra euro të qytetarëve, që ajo i ka përfituar duke mashtruar me premtimin e punësimit në Gjermani, nën emrin e një agjencie të mbyllur tashmë “Perla”. Sot sjellim rastin e një djali nga Berati, Albano Kola. Albano tregon, se i dha Verianës 1800 euro, në këmbim të një kontrate në Gjermani në fushën e ndërtimit.

Kur pa që Veriana nuk ia mundësoi punësimin, ai i kërkoi paratë mbrapsht. Zonja Gega i paraqiti një deklaratë noteriale, kur premtonte t’i kthente në muajin Prill 2000 Euro, por sot ajo nuk i hap as telefonin. Madje emisioni “Stop” është përpjekur që të kontaktojë me Veriana Gegën, por ajo nuk ka preferuar të përgjigjej për asnjë gjë, ndërsa në një telefonatë me Albanon, ajo ka patur këtë komunikim:

Përshëndetje, jam Albani, më ke premtuar për të më kthyer Lekët dhe akoma s’mi ke kthyer. Ndodhem në Tiranë dhe pres për të më dhënë Lekët e mia.

Veriana Gega: Unë kam kujtuar, se të kanë njoftuar, por të mora unë.

Denoncuesi: Nuk kam asnjë njoftim, as prej teje, as prej ndokujt.

Veriana Gega: Shumë mirë, në prokurori e kam deklaruar.

Gazetari: Zonja Gega ju duhet t’i ktheni Lekët dhe aq më tepër që keni një kontratë noteriale.

Në momentin që gazetari i “Stop” i foli në telefon, zonja Gega e fiku telefonin.

Denoncuesi: Gjen justifikime. “Do të t’i jap te babai, do të t’i jap te noterja”!

Albani tenton sërish ta marrë në telefon dhe i kërkon sërish Lekët.

Denoncuesi: Lekët e mia, kur do m’i japësh, se më ke premtuar shumë herë?

Veriana Gega: Mund të takohemi edhe në prokurori.

Denoncuesi: Nuk ka problem, ku të duash ti! Mjafton, që dua Lekët e mia!

Gazetari i emisionit i është drejtuar Krimit Ekonomik, pasi Albano e ka kallëzuar aty rastin e mashtrimit të tij. Oficeri i Krimit Ekonomik sqaron se të gjitha materialet për këtë rast janë referuar në prokurori. Nga ana tjetër Albano nuk është thirrur asnjëherë në organin e akuzës.

Për pjesën e materialeve të Veriana Gegës nuk e di nëse je i informuar nga Prokuroria apo jo, por të informoj unë që çdo material përsa i përket shtetases Veriana Gega dhe subjektit “Perla”, është i referuar në Prokurori brenda afateve. Njoftoheni ose jo nga Prokuroria, nuk është kompetenca ime sepse nuk i them dot prokurorit njofto filanin dhe merr në pyetje filanin. Unë jam i detyruar si oficer i Policisë Gjyqësore që çdo material brenda afatit për tre ditë ta referoj në prokurori”, është shprehur oficeri i Krimit Ekonomik.

Për dy raste të tjera ndaj Verjana Gegës është marrë vendim për mosfillim procedimi, pasi ajo ua ka kthyer paratë qytetarëve denoncues. /tvklan.al