Lëvizje për të ruajtur vlerën e kartonit të futbollistit

Pas një sezoni të shkëlqyer të parë në Serie A, Marash Kumbulla është vendosur të shpërblehet me një zgjatje kontrate. Javën e kaluar Verona pati një takim të parë pozitiv për të diskutuar një marrëveshje të re për të mbrojtur të gjitha palët e përfshira. Kontrata e re e mundshme nuk do të pengonte një shitje këtë verë, veçanërisht duke marrë parasysh që qendërmbrojtësi shqiptar kërkohet me ngulm nga Lazio, ndërsa Inter është disi më i tërhequr.

Zgjatja e re e kontratës do të ishte një lloj shpërblimi dhe motivimi për Kumbullën me një pagë më të lartë, në përputhje me vlerën e tij nëse ai do të qëndrojë. Gjithashtu kjo i jep Veronës një armë plus në negociatat me klubet e tjera, pasi kontrata aktuale skadon më 2022.

Me këtë lëvizje klubi i Veronës kërkon të shkojë te çmimi që ka fiksuar për Kumbullën, 30 milionë euro. Lazio iu afrua kësaj shifre duke propozuar 20 milionë dhe futbollistë të tjerë në shkëmbim, por siç duket, Verona është e interesuar më shumë tek likuiditeti. Të paktën 25 milionë euro dhe një futbollist nga radhët e Lazios.

Inter, që ishte më i interesuari para 1 muaji, duket disi më i tërhequr kohët e fundit. Strategji që përdorin klubet për të shkuar në çmimin që dëshirojnë. Gjithsesi, fakt është se Marash Kumbulla mbetet në merkato dhe çdo ditë shtohen në listë klube që duan shërbimet e tij.

Tv Klan