Dizenjatorët e markës së njohur Versace, nuk kanë qëlluar në shenjë me bluzat e reja. Imazhi i njërës prej tyre, ka sjellë polemika të shumta, pasi midis shteteve që ishin përzgjedhur si dizanj, ishte Hong Kong dhe Macau, të veçuara, duke i bërë territore të pavarura.

Bluzat, imazhet e të cilave u publikuan në mediat sociale, shfaqnin “çifte” të qyteteve, si Milano-Itali dhe London-UK. Edhe pse Hong Kong ka një status të veçantë, i cili u ofron njerëzve më shumë autonomi, ai përsëri është pjesë e Kinës. Njësoj është edhe Macau, që është një rajon i veçantë administrativ i Kinës.

Kjo gjë ka çuar në kritika të ashpëra, ndaj markës së njohur, e cila është detyruar më pas të kërkojë falje publike. Ka qenë vetë themeluesja e markës Donatella Versace, që ka kërkuar ndjesë, duke thënë se kompania  respekton sovranitetin territorial të shtetit të Kinës, ndaj ka kërkuar që bluza të mos shitet në asnjë dyqan.

Versace është marka e fundit e huaj që po përballet me reagime për mos respektimin e pretendimeve territoriale të Kinës./Klan Plus