Ibrahimaj: Aplikoni për punonjësit që të mos penalizoheni

Ditën e fundit të afatit që kanë bizneset për të deklaruar të dhënat e punonjësve në sistemin e tatimeve, në mënyrë që ata të përfitojnë pagën e luftës prej 40 mijë lekësh, kanë vërshuar aplikimet. 

Në një intervistë për Televizionin Klan, Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, thotë se deri tani janë 192 mijë kërkesa, ndërsa 143 mijë punonjës e kanë tashmë pagën në llogarinë bankare.

“Javën tjetër do të mbyllet për tatimpaguesit të cilët kanë aplikuar dhe e kanë përfituar. Do të mbyllet për ata punonjës të cilët janë potencialë dhe ne na dalin si potencialë dhe do t’i kalojmë pagat në llogari”.

Tatimet bëjnë thirrje që të aplikohet brenda datës së sotme, pasi përndryshe bizneset do të penalizohen me 50 mijë lekë gjobë për çdo punëtor që nuk kanë dorëzuar aplikim.

“Unë u bëj thirrje të gjithë bizneseve të kontrollojnë portalin e-filing, llogaritë e tyre në e-filing për të verifikuar nëse janë ose jo përfitues të pagave, të njërës nga masave. Deri në 12 të natës të gjithë duhet të kryejnë aplikimin e tyre”.

Ibrahimaj sqaron se nëse biznesi plotëson të dhënat e punonjësit dhe nuk ka akoma llogarinë bankare, do të tolerohet dhe një pritje me disa ditë për ta, në mënyrë që të mos penalizohen. Brenda javës së ardhshme do të hidhen të gjitha pagat në llogarinë e përfituesve, ndërsa këtë jave u hodh dhe kësti i fundit i pagës së luftës prej 26 mijë lekësh. 

Tv Klan