Frederik Veseli priti gjatë për të debutuar në Serie A. ndeshja e tij e parë ishte ajo me Genoa dhe për të arritur deri aty i janë dashur 4 muaj.

Problemet me transferimin e tij nga Lugano tek Empoli morën fund dhe mbrojtësi i Kombëtares shtoi listën e shqiptarëve në kampionatin italian.

“Jam i lumtur për debutimin. Mund të jap akoma më shumë si në fazën mbrojtëse dhe atë sulmuese, por mund të them se ishte një nisje e mirë” – tha Veseli në një intervistë për gazetën “Il Tirrenio”.

23-vjeçari luajti për 90 minuta në barazimin pa gola me Genoa. Frederik Veseli mendon se vendi i parafundit në klasifikim nuk i shkon Empoli.

“Po të shikosh renditjen mund të duket diçka e çuditshme, por shifrat nuk tregojnë gjithçka. Jemi një grup i mirë lojtarësh dhe do të luajmë një futboll të mirë për të arritur rezultat” – tha mbrojtësi shqiptar.

Ndeshja e radhës është me Chievo në shtëpi dhe Veseli dëshiron të festojë një fitore para publikut toskan./ TV KLAN