Emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli është përmendur në një video të publikuar në media ku dyshohen se janë përfshirë në fajde, mashtrim e detyrim një grup prej së paku 8 personash.

Në një rast njëri nga këta 8 persona dëgjohet duke thënë se Kadri Veseli ka marrë 200 mijë Euro. Dy protagonistët në këtë video flasin për shumë të mëdha parash që një biznesmen i dha për të ndërtuar një spital privat.

Menjëherë ka pasuar reagimi i Veselit, i cili në një konferencë të jashtëzakonshme deklaroi se nëse vërtetohet që është përfshirë në këtë rast korrupsioni, do të japë dorëheqje.

“Dua të deklaroj që nuk kam të bej asgjë me rast as me personat e përfshirë. Është rast klasik i mashtrimit dhe manipulimit dhe jam i bindur që organet e drejtësisë kanë qenë të njoftuara me kohë. Nëse del diçka e vërtetë për mua nga ky rast, unë do të jap dorëheqje”.

Sipas tij njerëzit që shihen në video nuk i njeh. Ndërkohë ka reaguar menjëherë Lëvizja Vetëvendosje, sipas së cilës, Veseli do të duhet të japë dorëheqje dhe nëse del fajtor duhet të shkojë në burg.

Tv Klan