Kreu i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli shprehu nga Shkupi mbështetjen për marrëveshjen mes Shkupit dhe Athinës. Pas takimit me homologun Talat Xhaferi, Veseli u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë të mbështesin masivisht marrëveshjen në referendumin e 30 Shtatorit, duke renditur edhe arsyet.

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës:

Ballkani Perëndimor për një kohë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e prosperitetit dhe mungesa e dhe kemi mbetur larg nga Bashkimi Evropian për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë pasur vendet. Kjo tregon domosdoshmërinë e vendimmarrjes politike, në mënyrë që vendet tona të lëvizin më shpejt drejt bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja pse ne i japim përkrahje marrëveshjes midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

Temë diskutimi ishte dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. I pyetur për qëndrimin e Shkupit për debatet për ndryshimin e kufijve, kryeparlamentari maqedon u tregua i kujdesshëm, duke i quajtur propozimet si hipotetike.

Talat Xhaferi, kryetar i parlamentit të Maqedonisë:

Në kontekstin e përmbajtjeve të mundshme të marrëveshjeve nuk është momenti që të jepet një qëndrim për një aspekt hipotetik se çka do të jetë përmbajtja e marrëvehsjeve të mundshme mes dy vendeve. Për atë arsye nuk dua të manipuloj me terminologji që përdoren për faktin që çdo term që përdoret ka kuptim ndryshe prej asaj çka mund të jetë përmbajtja definitive e marrëveshjes dhe nuk është korrekte që të debatohet një terminologji e përdorur në formën e lirë të përdorimit të saj.

Xhaferi tha se mbështeste dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit me shpresën e përmbylljes së tij me një marrëveshje që i jep zgjidhje konfliktin të fundit në Ballkanin Perëndimor, duke vulosur një herë e mirë paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Tv Klan