Teksa Beogradi shprehet pa rezerva për korrigjim të kufijve, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli thotë se ndarja e Kosovës nuk do të jetë kurrsesi temë diskutimi në dialogun dypalësh.

“Veriu do të jetë gjithmonë i yni. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës asnjëherë. Në dialog, ndarja e Kosovës nuk do të jetë asnjëherë temë diskutimi.”

Deklaratat për shkëputjen e Mitrovicës së Veriut, Veseli i quan spekulime.

“Presim nga dialogu njohjen e shtetit tonë të pavarur dhe sovran, anëtarësimin në OKB, ruajtjen e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. Ky është qëllimi ynë. Çdo deklaratë tjetër, çdo qëllim tjetër, më tepër është lojë për të nxitur pasiguri, frikë dhe paqartësi, që nuk i sjell asnjë dobi Kosovës dhe qytetarëve të saj.”

Nga Mitrovica, Veseli njoftoi se shumë shpejt, në bashkëpunim me kreun e komunës së Mitrovicës Veriore do të nisë rindërtimi i të gjitha shtëpive të djegura të serbëve dhe banorëve të komuniteteve të tjera.

Tv Klan