Në një tubim në Podujevë, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Fillimi i Ri është një fuqizim i shtetit të Kosovës.

Veseli ka thënë se Serbia natë e ditë punon që ta cenojë shtetin e Kosovës, por atë mund ta ndalin vetëm ata që e kanë ndalë dhe thyer në vitin 1999 me luftën çlirimtare.

“Kosova duhet që të jetë krenare për simbolet e veta

”, ka thënë ai.

Duke shpalosur platformën e Fillimit të Ri, Veseli ka thënë se me qeverisjen e re Kosova do të ketë prodhim dhe do t’i zvogëlojë importet.

Veseli premtoi se do të dyfishohet buxheti për bujqësinë, për të mbështetur fermerët me grante dhe subvencione, por edhe me politika të tjera stimuluese.

Ai potencoi se Fillimi i Ri nënkupton fuqizim të grave dhe rinisë në jetën institucionale, por edhe në ndërmarrësi.

Kreu i PDK-së theksoi se PDK-ja do t’i shtojë investimet në Podujevë dhe do t’ia kthejë shpresën qytetit me fitore edhe në zgjedhjet lokale, me kandidatin Hajredin Hyseni./Klan Kosova