Veseli: Të akuzuarit për korrupsion, të largohen

Veseli: Të akuzuarit për korrupsion, të largohen

09:30 20/06/2019

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i parlamentit, tha se ka kërkuar nga anëtarët e partisë së tij që kanë aktakuza të ngritura për korrupsion, të lirojnë pozitat e tyre në institucionet e vendit.

Ai e bëri të ditur këtë vendim në një konference për gazetarë, pak ditë pas rizgjedhjes në krye të partisë Demokratike të Kosovës, që është pjesë e qeverisë së vendit. Pas rizgjedhjes ai ishte zotuar se do të luftojë me vendosmëri korrupsionin.

Zoti Veseli tha po ashtu se partia e tij nuk do të kandidojë në të ardhmen persona që kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion ose nepotizëm në asnjë pozitë publike dhe as nuk do t’i mbështesë kandidatë të tillë që mund të propozohen nga partitë tjera. Ai u bëri thirrje edhe të zgjedhurve në strukturat drejtuese të partisë së tij që të pezullojnë pozitat e tyre deri në aktgjykimet përfundimtare.

Kjo është hera e parë që një parti politike në Kosovë vendos që të largojë nga institucionet e vendit zyrtarët e vet me aktakuza të ngritura.

Aktualisht, ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, zëvendësministri i ministrisë së Mbrojtjes, Agim Çeku dhe këshilltari i Kadri Veselit, Njazi Kryeziu, janë zyrtarë që mbajnë pozita në institucione të Kosovës, e ndaj të cilëve pritet të fillojë një proces gjyqësor në një rast përgjimesh që u bë i njohur si rasti “Pronto” për shkak të përdorimit të kësaj fjale gjatë bisedave të përgjuara.

Kosova vazhdon të kritikohet për mungesë të vullnetit për të luftuar korrupsionin, ndërsa ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet e zyrtarëve të dënuar për krime lufte dhe me aktakuza të ngritura nëpër gjykata./VOA

LAJMET

Klinika
Klinika
Të ngjashme

KPT
KPT
UKT