S’ka mundësi të blejë lëndën e parë për të mbajtur rafinerinë në punë

Kompania e cila ka pronësinë e rafinerisë së përpunimit  të naftës në Ballsh, Allum Enterprises ndodhet prej disa muajsh në vështirësi financiare.

Burime zyrtare për televizionin Klan kanë konfirmuar se uzina nuk është në gjendje të punojë, pasi mungon lënda e parë dhe paratë për ta siguruar atë.

Në 5 Gusht të këtij viti, Allum Enterprises rezultoi fituese në ankandin e organizuar nga Albpetrol për shitjen e një sasie nafte bruto 48 mijë ton, por edhe pse kontrata u lidh, kompania nuk arriti ta tërhiqte sasinë e naftës pasi nuk kishte mundësi financiare për të paguar lëndën, duke çuar kështu edhe në anulimin e kontratës nga ana e Albpetrol.

Mësohet se edhe kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, Bankers Petroleum, ka ofruar sasinë e naftës për të lidhur kontratë me firmën që shfrytëzon uzinën e Ballshit, por nuk ka marrë përgjigje për rezervimin e sasive të lëndës së parë.

Në 2 vitet e fundit, Allum Enterprises ka patur një bilanc financiar negativ me humbje. Në vitin 2019 humbjet arritën vlerën e 360 mijë Dollarëve, ndërsa tashmë mungesa e likuiditetit ia ka bërë të pamundur vazhdimin e operacioneve për blerjen e naftës dhe përpunimit të saj me qëllim shitjen në tregun vendas.

Ndërprerja e operacioneve në këtë kompani prej disa javësh ka sjellë protesta dhe reagime nga ana e naftëtarëve, të cilët kërkojnë rikthimin në punë si dhe dhënien e pagave të prapambetura për vitet 2015 dhe 2016.

Tv Klan