Të sigurosh librat është sfida me të cilën përballen studentët e Gjuhë–Letërsisë në Tiranë, çdo vit të ri shkollor. Kjo studente e vitit të dytë na tregon se volumi i një lënde mund të arrijë deri 24 libra, që e përkthyer në vlerë monetare nuk mund të përballohej prej saj.

“Për një lëndë janë ndoshta 24 libra. Gjatë një semestri bëjmë 8 lende. Vetëm të një lende do më kushtonin 200 mijë lekë të vjetra.”

Në këto kushte, studentët i drejtohen shpesh bibliotekës së Fakultetit për të siguruar kopjen e një vepre. Të interesuar pranë bibliotekës së Gjuhës dhe Letërsisë na u tha se numri i librave është ne varësi të veprës që varion nga 5 deri 40 kopje.

Studentet pohojnë se jo të gjitha veprat mund të gjenden aty.

“Ka vepra që madje nuk gjenden ose ka vetëm 2 ose 3 kopje, ose ka te tjera që mund të ketë deri 10 kopje për një vepër.”

Sidoqoftë, sasia e tyre nuk mjafton për të plotësuar kërkesat për 180 studentet e një viti, edhe nëse ata nxitojnë të lexojnë apo i shkëmbejnë me njeri-tjetrin. Bibliotekën Kombëtare e mendojmë si një tjetër zgjidhje, derisa përballemi me ankesën e kësaj studenteje.

“Nuk kam të drejtë të marr kopje në Bibliotekën Kombëtare. Kemi vajtur shumë herë, jam anëtarësuar, të gjitha në rregull, por nuk japin libra. Nuk japin shpjegim i kemi të gjitha në arkiv, na thonë.”

Sqarimin nga Biblioteka Kombëtare e kërkojmë ne përmes një kërkese zyrtare. Pas 13 ditësh pritje, përgjigja që vjen nga sekretaria e këtij institucioni pohon mungesën e këtij shërbimi.

“Në kushtet aktuale të krizës së hapësirave të Fondeve të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë institucioni është i detyruar të zbatojë protokollet e sigurisë së lartë për raste të tilla. Këto protokolle diktojnë në mënyrë të pashmangshme një përdorim sa më të kufizuar të mjediseve ku ruhen librat, duke kërkuar që ato të ruhen sa më shumë në “gjendje qetësie”, gjë që ka çuar në ndërprerjen e shërbimit publik jashtë mjediseve të institucionit.”

Kriza ka përfshire jo vetëm rregulloren, por edhe sallat e leximit.

“Për arsye të sigurisë, BKSH vijon të ofrojë shërbime të kufizuara në sallat e leximit duke mbështetur, në funksion të interesit publik, kërkimin shkencor, mediat, botues etj.”

Pra studentet nuk mund të marrin libra as nga Biblioteka Kombëtare, aq me tepër sallat e leximit janë të kufizuara, ç’ka i shtyn ato t’i blejnë apo t’i sigurojnë me mënyra të tjera.

Tv Klan