Spitali i Ferizajt ka në dispozicion vetëm 3 mjekë infektolog, është kthyer në qendër për të infektuarit

Pjesa më e madhe e spitalit rajonal të Ferizajt, qytet ky rreth 40 kilometra larg Prishtinës është shndërruar në spital për personat me Covid-19.

Me vetëm dy infektologë e 3 pulmologë, spitali është dashur të riorganizohet në mënyrë që pacientët të kenë trajtimin e duhur.

“Në mungesë të infektologëve dhe pulmologëve, ne kemi qenë të detyruar si spital i përgjithshëm që trajtimin e Covid ta bëjmë në mënyrë multidisiplinare, ku në radhë të parë janë të përfshirë mjekët specialistë të sëmundjeve të brendshme, anesteziologët dhe pjesa tjetër përcjellëse e stafit,” u shpreh drejtori i Spitalit Rajonal të Ferizajt Jeton Zeqiri.

Aktualisht në këtë spital janë duke u trajtuar 56 pacientë ndërsa ka kapacitet për 90 të tillë.

“Për shërbime dhe vizita specialistike çdo ditë kemi nga 40 pacientë, që trajtohen, diagnostikohen dhe në bazë të gjendjes lirohen ose trajtohen në spitalin tonë.”

Me rritjen e numrit të rasteve me Covid-19 ky qytet është kthyer sërish në zonë të kuqe, ndërsa në gjithë Kosovën janë rreth 13 mijë persona aktiv të prekur me Covid-19.

Klan News