Vetëdorëzohet autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake



Vetëdorëzohet autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake

19:20 15/10/2020

Dorëzohet edhe bashkëpunëtori i tij

Autori i atentatit ndaj shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj, është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës. Autoritetet i kanë vënë prangat Ilirjan Hasanajt dhe i riu mësohet se ka pranuar krimin.

Gazetarja e Tv Klan në Shkodër, Emi Kalaja, bën të ditur se 19-vjeçari është dorëzuar sëbashku me personin që dyshohet se e ka ndihmuar në atentat. Ai është Verzan Bajrakurtaj, 23 vjeç.

Dorëzimi i të rinjve është bërë pas angazhimit dhe komunikimit që babai i Ilirjan Hasanajt, Arben Hasanaj ka pasur me të birin. Po ashtu për 23-vjeçarin Bajrakurtaj ka qenë i ati që i ka kërkuar të vetëdorëzohet në polici.

Ilirjan Hasanaj është personi që qëlloi në drejtim të kreut të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe në rrethrrotullimin e “5 Heronjve” në Shkodër, duke e lënë të plagosur atë së bashku me të atin 70 vjeç.

19 vjeçari, i cili është djali i një ish-efektivi të policisë u identifikua nga rrobat dhe një celulari që ka lënë 500 metra larg vendit të atentatit bashkë me motoçikletën e vjedhur që përdori. Ai nuk ka precedentë penalë, por autoritetet dyshojnë se është përdorur si vrasës me pagesë.

Sipas policisë skema e atentatit dëshmon për një atentat të mirëmenduar çka hedh poshtë pretendimet për ngatërrim objektivi. Kjo edhe për faktin se polici bashkiak po udhëtonte me makinën e  punës, lehtësisht e identifikueshme.

Në momentin e ngjarjes në makinë së bashku me Mentor Hasanajn dhe babain e tij ndodhej edhe bashkëshortja e shefit të policisë bashkiake, e cila fatmirësisht u shpëtoi plumbave.

Pavarësisht se kanë të njëjtin mbiemër mes autorit dhe drejtorit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe nuk ka asnjë lidhje farefisnore./tvklan.al




Të ngjashme