Kelmend Balili, njeriu më i kërkuar në Shqipëri 2 vitet e fundit, sot ka dalë nga banesa në Stjar të Delvinës i shoqëruar nga familjarë të tij.

Ai u dorëzua mëngjesin e kësaj të marte, pas negocimit disa ditor mes familjarëve dhe policisë. Siç shihet nga pamjet e transmetuara në emisionin Opinion, në momentin që del nga vila, Balili është i rrethuar nga familjarë, ndërsa nuk vihet re asnjë prezencë e punonjësve të policisë.

Pasi hipën në makinën tip Benz, Balili i drejtohet vendit ku e priste kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu rreth 2 kilometra nga fshati Stjar, në ndërtesën e njohur si ish-pularia.

Ky ishte vendi i paracaktuar ku pasi zbret nga makina e familjarëve Balili hipën në automjetin e policisë për të nisur rrugëtimin drejt Tiranës.

Fillimisht u shoqërua në Komisatiatin numër 6 dhe më pas u transportua në Drejtorinë e Policisë. Ministri i Brendshëm, në një deklaratë për mediat, tha se operacioni për dorezimin e Balilit kishte qenë i gjatë dhe i ndërlikuar.

Ndersa avokati mbrojtës i Balilit, Theodhori Sollaku tregoi se klienti i tij u vetëdorëzua kur u plotësuan kushtet.

I ashtuquajturi “Eskobari i Ballkanit” akuzohet nga Prokuroria për trafikim të lëndëvë narkotike i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal, refuzim për deklarim të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale. Dosja e tij tashmë është dërguar për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Dorëzimi i Balilit vjen dy javë përpara se të skadonin afatet hetimore ndaj tij.

Aktiviteti i tij kriminal u zbulua nga autoritetet greke me ndihmën e DEA –s amerikane, gjatë kohës që ai ishte në krye të Drejtorisë së Transportit në Sarandë. Sipas hetimeve, ai rezultonte të ishte një ndër krerët e një rrjeti të gjerë të shpërndarjes së kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë dhe vendeve të tjera të Europës.

Tv Klan