Autori i dyshuar i vrasjes së 27-vjeçarit në Tiranë, Mehmet Qema, është arrestuar nga policia.

Burime për tvklan.al thonë se Marjus Dema u dorëzua vetë në Policinë e Tiranës pas negociatave mes uniformave blu dhe avokatit e familjarëve të tij. Ai ka qëndruar i fshehur që prej mesnatës kur dhe ndodhi krimi në një lokal në lagjen “5 Maj” në Tiranë.

Bashkë me të është dorëzuar edhe njëri prej personave të shpallur në kërkim, Frenkli Myftari, i cili ka qenë prezent në vendngjarje.

Policia e Tiranës kishte ushtruar kontrolle të shumta dhe kishte ngritur pika kontrolli për kapjen dhe arrestimin e autorit të vrasjes së të riut. Në pamundësi për të qëndruar i strehuar, autori u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës.

Ndërkohë, në kërkim për këtë ngjarje janë edhe 4 persona të tjerë për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Këta të fundit së bashku me viktimën dhe autorin kanë qenë në të njëjtën tavolinë dhe janë grup shoqëror mes tyre.

Në një foto të publikuar më herët gjatë ditës të shkëputur nga kamerat e sigurisë së lokalit, shfaqet Marjus Dema që mban në dorë pistoletën.

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur nga pakujdesia ose ndonjë konflikt i çastit.

Megjithatë, Policia e Tiranës ka ngritur akuza për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje për autorin e ngjarjes.

Njoftimi i Policisë së Tiranës:

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maj” Tiranë ku u vra me armë zjarri një 27-vjeçar, ju informojmë se: Si rezultat i kontrolleve të shumta dhe pamundësisë për të qëndruar të fshehur dhe negociatave me familjarët dhe avokatëve janë vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë autori i dyshuar i ngjarjes shtetasi M. D.,  28 vjeç si dhe një prej personave të shpallur në kërkim shtetasi F.M., 29 vjeç. Grupi i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Tiranë, për veprime te mëtejshme hetimore. /tvklan.al