Olger Mustafa është vetëdorëzuar në policinë e Korçës. Ai ishte shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur mbrëmjen e 17 Janarit në këtë qytet, viktimë e së cilës mbeti 35-vjeçari Altin Balliu.

Ngjara e rëndë ndodhi në lagjen Nr 10 të qytetit të Korçës, pas një konflikti në një lokal në këtë zonë. Mustafa ishte konfliktuar me 35-vjeçarin dhe shokët e tij për bllokimin e rrugës me makinë nga këta të fundit.

Pas përplasjes së ndodhur në ambientet e lokalit, autori, i cili ishte banor i lagjes, ishte larguar për t’u rikthyer me pistoletë në dorë.

Ai dyshohet se e gjeti vetëm viktimën, gjatë kohës që po i drejtohej makinës ku ndodheshin shokët e tij. I dyshuari Mustafa e qëlloi 35-vjeçarin disa herë. Dy prej plumbave e prekën në kokë e trup, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Mustafa kishte vetëm 1 vit që ishte liruar nga burgu, pasi kishte tentuar të vriste një person.

/tvklan.al