Një person që ishte në arrati, i dyshuar për përfshirjen në transferimin e mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në një kompani private, është vetëdorëzuar tek autoritetet e rendit.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Policia e Kosovës, e cila më vonë tha se, me vendim të prokurorit, të vetëdorëzuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

I vetëdorëzuari, me inicialet K.Sh, besohet se është pronar i kompanisë LDA Group, ku punonjësi i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, përmes katër transferimeve, ka dërguar mbi 2 milionë euro.

Policia ka thënë më herët se dy pronarë të kësaj kompanie janë në arrati.

Prokuroria e Kosovës pretendon se Gruda i ka bërë këto transferime më 9 tetor, ndërsa është arrestuar më 20 tetor.

Sipas organit të hetuesisë, Gruda i ka bërë këto veprime në një periudhë prej 8 minutash.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 tetor, i ka caktuar Grudës masën e paraburgimit prej një muaji.

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se transferimi i mbi 2 milionë eurove është bërë përmes një sulmi kibernetik.

“Ky është krim ekonomik, i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer fjalëkalimet”, ka deklaruar ministrja Bajrami.

Kompania LDA Group, sipas Agjencisë së Regjistrit të Bizneseve, është regjistruar si biznes në gusht të vitit 2019.

Si pronarë të këtij biznesi figurojnë K.Sh dhe V.Sh, ndërsa si veprimtari kryesore e ka të përcaktuar ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, ndërsa veprimatri dytësore demolimin e objekteve.

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, kjo kompani e ka adresën në fshatin Llapushnik të Gllogovcit, rreth 30 kilometra nga Prishtina./REL