Kur ka kaluar një muaj pas hapjes së tenderit për të dhënë me koncesion ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit, deri tani në Ministrinë e Transporteve ka vetëm një ofertë të një kompanie shqiptare.

Kompania ka bërë studimin e fizibilitetit dhe ka dorëzuar edhe një ofertë të pakërkuar pranë qeverisë për të marrë përsipër përfundimin e kësaj vepre, duke u shpërblyer me 10% të pikëve bonus në tender.

Burime pranë Ministrisë së Transporteve thanë se ofertat do të hapen në datën 2 tetor dhe se fituesi do të shpallet brenda muajit.

Qeveria ka shpërndarë pranë kompanive parametrat teknikë që do të ketë rruga, duke çuar shpejtësinë 60 deri në 100 km/h. Gjatësia e segmentit do të jetë 69 kilometra.

Në këtë aks është projektuar të ndërtohet vetëm një tunel 3.2 kilometër dhe do të shtohet numri i urave lidhëse.

Pas dy varinatesh që u propozuan fillimisht, në tender është vendosur si kusht që kompania fituese nuk do të marre taksë për rrugën, por pagesën për mirëmbajtjen do ta negociojë me shtetin.

Qeveria nuk do të pranojë oferta më të mëdha se 250 milionë euro, ndërsa kusht tjetër është që 190 milionë të kësaj vepre t’i japë ndërtuesi dhe 60 shteti. Në kohën që rruga do të përfundojë, kompania do të marrë me këste paratë nga buxheti. Vepra parashikohet të përfundojë brenda 4 vitesh. /Tv Klan