Vajza e artistes së mirënjohur shqiptare, Annie Salius Koka, e ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan tregon se fillimet e saj me muzikën tashmë janë versione të ndryshme të këngëve nga artistë të huaj si Billie Eilish, Summer Walker apo Noah Cyrus. Aktualisht, Annie vazhdon studimet për Media & Culture Entrepreneurship. Përveç muzikës, ajo angazhohet si një instruktore joge, zumba dhe step si dhe ka nisur një podcast të sajin.

Podcast-i ka rezultuar mjaft i suksesshëm dhe në sezonin e parë ka arritur të ketë 10.000 dëgjues në platformën “Spotify”. Annie tregon se ideja ka lindur krejt rastësisht dhe tematika janë takimet romantike, por tregon se është mjaft e kënaqur. Podcast-i është i realizuar në bashkëpunim me shoqen e ngushtë të Annie dhe quhet “Why Do Men?”.

Rudina Magjistari: Ku konsiston ky podcast? Si e keni realizuar?

Annie Salius Koka: E bëj me shoqen time të ngushtë, Ida. Ishim në Tik Tok në fakt, po bënim një “livestream” sepse ajo bën të tilla dhe më tha “futu edhe ti, tregojmë ca histori nga fëmijëria”, njerëzve iu pëlqeu shumë dhe thanë “bëni një podcast ta dëgjojmë çdo javë, në tramvaj kur ikim për shkollë” dhe thamë “Çfarë koncepti do të bëjmë ne në podcast?” sepse nuk mundemi vetëm të flasim kot se nuk do ta dëgjojë asnjë. Bëmë një postë elektronike të podcast-it ku dëgjuesit dërgojnë historitë e tyre dhe zgjodhëm edhe një temë të historive, që janë takimet romantike si gjërat e çuditshme që kanë ndodhur me një partner sepse janë tema që njerëzit kanë qejf t’i dëgjojnë. Kështu u shpik “Why Do Men?” sepse është edhe një shprehje që përdoret në internet kur djemtë bëjnë diçka të çuditshme. Tani bëmë sezonin e parë, jemi bërë me 10.000 dëgjues, jam shumë e gëzuar që mundem ta bëj këtë me shoqen e ngushtë, është eksperiencë shumë e bukur.

Rudina Magjistari: E keni të përjavshëm?

Annie Salius Koka: Po, të përjavshëm, çdo të premte del një episod i ri.

Rudina Magjistari: Dilni live apo e regjistroni më herët?

Annie Salius Koka: E regjistrojmë gjatë javës dhe unë e montoj, vë muzikën. Çdo të premte e transmetojmë, është rreth gjysmë ore dhe është “Why Do Men Friday”.

Rudina Magjistari: Keni një studio të posaçme ku realizoni këtë gjë apo në shtëpinë tuaj, në një dhomë?

Annie Salius Koka: Është shumë gazmore sepse 90% të sezonit të parë e kemi bërë me kufje telefoni me kompjuter, ajo në shtëpinë e saj, unë në timen dhe cilësia e zërit ishte katastrofale. Isha surprizuar që njerëzit e dëgjonin sepse nuk dëgjohej bukur. Tani në fund morëm mikrofonë, por e bëjmë unë në kompjuterin tim, ajo në shtëpinë e saj, flasim, unë e incizoj, e montoj dhe e hedh në “Spotify”./tvklan.al