Një raport i fundit i OECD-së për aftësitë dixhitale të popullatës e renditi Shqipërinë të fundit në rajon.

Mesatarja e individëve që kanë aftësi bazike apo mbi të, përllogaritet 23.8% në vendin tonë.

Menaxherja e qendrës së parë për teknologji kreative në Shqipëri thotë se për këtë ndikojnë disa faktorë.

“Mendoj që ka akoma për të bërë në vendet le të themi periferike apo si në insfrastrukturën digjitale si në aftësinë digjitale. Mendoj se ky është ndër faktorët se përse nuk renditemi mirë në këtë fushë. Një arsye tjetër mendoj se është dhe arsimi, pasi nuk është akoma i strukturuar drejt aftësive konkrete dixhitale”, thotë Shqipe Berisha, menaxherja e përgjithshme e TUMO.

Megjithatë pritet që fokusi i qeverisë në zhvillimin e aftësive digjitale të reflektojë ndryshime, siç është edhe futja e lëndës së Tik që në klasat e para.

“Një rritje e investimeve private në këtë sektor sikurse edhe përpjekjet e qeverisë që tashmë janë në foksur dhe për dixhitalizimin e ndërlidhjes me qytetarët mendoj se do ndikojnë në rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën dixhitale”.

Në mesin e këtyre përpjekjeve luajnë rol edhe kurset dixhitale falas te piramida për të gjithë adoleshentët nga mosha 12-18 vjeç.

“Që nga fillimi i TUMO deri më sot kemi mbi 5700 studentë që kanë marrë bazat e para në Tumo, aktualisht kemi 1800 studentë”.

Aftësitë e shekullit të XXI në fushën dixhitale nuk kanë mbetur vetëm tek përdorimi i një kompjuteri, por të domosdoshme janë kodimi, animacioni, zhvillimi i lojërave, dizajni grafik, realizimi i filmave, modelimi 3D deri tek robotika.

Tv Klan