Tatimet: Aplikoni në e-Albania. Konfindustria: Fiskalizimi të shtyhet

Vetëm 25% e bizneseve që pritet të nisin të lëshojnë fatura përmes sistemit të ri të fiskalizimit kanë arritur të marrin certifikatën elektronike pranë Agjencisë së Teknologjisë dhe Informacionit, ndërsa Tatimet kërkojnë nisjen sa më parë të aplikimeve në mënyrë që procesi të funksionojë.

“Për të pranuar apo refuzuar blerjet pa para në dorë nga tatimpaguesit prej datës 1 Korrik 2021, duhet të jenë të pajisur me certifikatën elektronike për fiskalizimin. Aplikimi për pajisjen me certifikatë elektronike kryhet nëpërmjet portalit e-Albania”.

Deri tani janë pajisur me këtë certifikatë afro 12 mijë biznese, nga 50 mijë në total për të cilët nis zbatimi i fiskalizimit, ndërsa vetë shoqatat e bizneseve kërkojnë shtyrje në kohë të nisjes së kësaj reforme pasi gjenden të papërgatitur.

“Shumë pak kanë marrë certifikatën, është një reformë e cila nuk mund të bëhet kaq shpejt pasi ka për të patur gabime dhe ndëshkime të padrejta për biznesin”.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, aktualisht janë 4600 sipërmarrje që po përdorin sistemin e ri fiskal të lëshimit të faturave elektronike pa nisur ende detyrimi ligjor, por vetë ndërmarrjet thonë se procesi mund të jetë i papërballueshëm për zinxhirin e biznesit të vogël e të mesëm, çka sjell dështim dhe te kategoria e të mëdhenjve që i furnizon ata me mallra.

“Mund të gjendemi shumë shpejt para dështimit dhe mbi të gjitha nuk kemi një faturë se sa do të rrisë të ardhurat në buxhet dhe a do ia vlejë gjithë kjo”.

Përshtatja me sistemin e ri të fiskalizimit do të bëhet edhe për kompanitë shtetërore që lëshojnë fatura te bizneset, ndërsa deri tani nuk dihet nëse të gjitha kanë arritur që të kenë gati për datën 1 Korrik sistemin e ri, çka mund të sjellë për një shtyrje të këtij afati.

Zyrtarisht Ministria e Financave ka deklaruar se reforma e re hyn në fuqi për transaksionet pa para në dorë më 1 Korrik, e se nuk do të ketë vendosje gjobash për gabime që mund të gjenerojë sistemi.

Tv Klan