Numri më i ulët i rasteve ditore në 8 javët e fundit

Shqipëria ka regjistruar këtë të hënë numrin më të ulët të rasteve pozitive me koronavirus në 8 javët e fundit.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 121 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 qytetarë në Tiranë, 1 në Kamëz dhe 1 në Shkodër. Të shëruar janë 4 qytetarë. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 872 qytetarë”.

Për ekspertët e shëndetësisë, ecuria e pandemisë në vendin tonë është brenda pritshmërisë.

“Bazuar në të dhënat e deritanishme vlerësohet se numri efektiv i riprodhimit nga data 24 Prill e në vazhdim ka zbritur nën kufirin kritik”.

75% e të prekurve nga koronavirusi tashmë janë shëruar, shumica e të infektuarve aktiv po qëndrojnë të izoluar në shtëpi, ndërsa në spitale numri i të prekurve vijon të jetë i ulët.

“Në të gjithë vendin aktualisht janë 187 persona aktivë me COVID-19, kryesisht ne Tiranë, Krujë, Shkodër, Kamëz. Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 28 pacientë dhe vetëm 3 prej tyre janë në terapi intensive”.

Prej më shumë se 10 ditësh, në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë humbje jete si pasojë e prekjes nga Covid-19. Që prej fillimit të pandemisë, 31 pacientë e kanë humbur betejën me këtë virus dhe kanë ndërruar jetë.

Tv Klan