Vladimir Putin ka paralajmëruar Donald Trump se raketat ruse mund ta godasin Amerikën në vetëm 5 minuta, nëse tensionet përshkallëzohen. Në një mesazh të frikshëm, Presidenti rus tha se nuk ka frikë që të përsërisë krizën kubaneze të raketave. Dhe Putin deklaroi se vendi i tij ka përparësi nëse e nis sulmin i pari.

Në vitin 1962, kriza kubaneze e raketave e çoi botën në buzë të luftës bërthamore dhe më shumë se 50 vjet më vonë, marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten të tendosura, teksa Amerika mund të vendosë raketa bërthamore me rreze të mesme në Europë.

Edhe më herët, Putin ka paralajmëruar se Moska do të shohë çdo lëvizje të SHBA, duke stacionuar raketat e saj pranë atyre amerikane, apo duke vendosur raketa më të shpejta… ose edhe të dyja.

Duke folur për gazetarët rusë, ai tha se vendi i tij mund të vendosë raketa hipersonike në anije dhe nëpër nëndetëse, të cilat mund të qëndrojnë jashtë ujërave territoriale amerikane.

“Po flasim për automjete të transportit detarë: Nëndetëse apo anije në sipërfaqe. Dhe ne mund t’i vendosim, në bazë të shpejtësisë dhe rrezes të raketave tona, në ujërat territoriale. Plus që ato nuk janë të palëvizshme, ato lëvizin dhe atyre do t’u duhet t’i gjejnë”,

tha Putin, ndërsa shtoi:

“Mund t’i bëni vetë llogaritë. 9 është shpejtësia e raketave dhe mbi 1 mijë kilometra rrezja e tyre…”

Putin është shprehur se nuk dëshiron një garë armatimesh me SHBA-të, por nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të veprojë, nëse Washingtoni vendos raketa të reja në Europë. Disa prej këtyre raketave janë në gjendje që të godasin Moskën brenda 10-12 minutave.

Putin tha se përgjigja e tij detare ndaj një lëvizjeje të tillë do të nënkuptonte se Rusia mund ta godasë Amerikën më shpejt sesa raketat e vendosura në Europë do të mund të godisnin Moskën, sepse koha e fluturimit do të ishte më e shkurtër.

Përllogaritjet nuk do të ishin në favorin e tyre, të paktën si janë gjërat sot për sot. Kjo është e sigurtë”,

tha Putin.

Marrëdhëniet mes Moskës dhe Washingtonit janë të tensionuara, shtoi ai, por ato nuk mund të krahasohen me tensionet në kohën e krizës kubaneze raketore.

“Në çdo rast, nuk është ajo që ne duam. Megjithatë nëse dikush e do këtë, janë të mirëpritur. E sqarova sot se çfarë do të thotë, le t’i bëjnë vetë përllogaritjet (kohën e fluturimit të raketave)”,

tha Putin më tej.

Nga ana e tij Departamenti Amerikan i Shtetit i ka konsideruar paralajmërimet e Putin si propagandë.

/tvklan.al