Bëjnë apel për ndihmë

Një familje e varfër prej 7 personash nga fshati Dronaviç i Librazhdit, jeton prej vitesh në një shtëpi me kushte thuajse të pabanueshme. Një nga familjarët ka kontaktuar redaksinë e tvklan.al, duke dërguar edhe pamjet e banesës.

Qytetarja shprehet në mesazhin e saj se vendi ku jetojnë ndodhet në mes të pyllit, pa rrugë dhe pa asnjë lloj sigurie. Ajo ngre shqetësimin se i ka mbajtur fëmijët të flenë jashtë në shi e dëborë, ndërsa thekson se ata janë pa shkollë, pasi shkolla ndodhet dy orë larg.

Kjo familje bën thirrje për ndihmë, duke shpresuar që të ketë një shtëpi ose të paktën një dhomë për të futur fëmijët, pasi në banesën aktuale janë futur insekte e gjarpërinj.

“Jemi një familje e vetme në mes të pyllit, pa rrugë, pa shtëpi, pa xhade. Jemi nga rrethi i Librazhdit, fshati Dronaviç. Jemi 7 pjesëtar të familjes. Shtëpia është shkatërruar komplet. Kam jetuar jashtë me fëmijët, në shi e në dëborë gjithë Dimrit. S’kemi as lekë, e as bukë për të ngrënë. Jemi me ilaçe, të sëmurë dhe s’ka kush na ndihmon. Vetëm arushën e pyllit kemi afër. Fëmijët kanë frikë nga insektet e Verës. U ka hyrë tmerri nga gjarpërinjtë që na futen brenda. S’kemi as ku të flemë. Duam një shtëpi ose të paktën një dhomë të vetme sa të fusim fëmijët brenda”, shkruan qytetarja./tvklan.al