Shqiptarët që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit vijojnë të kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme për familjet e tyre në atdhe, por dhe për ekonominë tonë.

Referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë vetëm përgjatë vitit 2024, remitancat arritën në vlerën e 1 miliardë e 45 milionë Eurove. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar deri më tani, ndërsa e thënë ndryshe në raport me vitin 2023 rezultuan 116 milionë Euro më shumë nga emigrantët.

Edhe tre muajt e fundit të vitit 2024 kanë shënuar rekord të të ardhurave nga emigrantët me rreth 272 milionë Euro dërgesa në Shqipëri, me rritje vjetore prej 8%.

Remitancat vijojnë të mbeten një burim i rëndësishëm i të ardhurave për familjet shqiptare vitet e fundit. Njëherësh këto të ardhura kanë ndikuar direkt edhe në dobësimin e monedhës Euro në vendin tonë, për shkak të qarkullimit të lartë të kësaj monedhe në tregun valutor.

Sipas statistikave në Shqipëri, mesatarisht 1 në 4 familje siguron te ardhura nga emigrantët që rezultojnë se janë burim i rëndësishëm për financat e tyre.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, zgjerim pati volumi i dërgesave, jo vetëm përmes kanaleve formale siç është sistem bankar, por edhe nëpërmjet prurjeve cash.

Nga ana tjetër, dërgesat e emigrantëve janë edhe më të larta, nëse vlerësojmë edhe miliona Euro, sidomos në periudhën e verës apo për festat e fundvitit kur emigrantët kthehen tek familjet e tyre.

Klan News