Djemtë e kombëtares së futbollit kanë pak dalje publike por duket se ia kanë lënë vendin punës së tyre në fushë për të bërë zhurmën e suksesit. Gjithsesi, kjo vetëm shton më shumë kureshtjen e publikut për të ditur më shumë rreth tyre apo për t’i njohur më mirë.

Në komentin e saj për Jasir Asanin në “Rudina” në Tv Klan, gazetarja Enkeleda Zeko thotë se ishte futbollisti që askush nuk i besoi. Për Cikalleshin, ajo e vlerëson si lojtar megjithatë shton se vendi i tij mund të ‘kërcënohet’ nga rikthimi i Brojës pas rikuperimit nga dëmtimi.

Enkeleda Zeko: Jasir Asani është futbollisti ku askush nuk i besoi. Kur luante në Shqipëri me Partizanin të gjithë thoshin pse nuk thërritet Asani në kombëtaren tonë por atij nuk i jepeshin minuta dhe mundësi. Menjëherë sapo ai u largua jashtë Shqipërisë ishte Sylvinho që i besoi, e solli në Shqipëri dhe Asani ka realizuar tre gola të jashtëzakonshëm. Që të tre golat janë shpallur golat më të mirë te eleminatoreve të kampionatit europian nga sajti i UEFA-s.

Sokol Cikalleshi ka qenë për herë të parë në televizon në studion time përpara shumë vitesh, sapo kishte kaluar te skuadra e Kavajës nga ekipi i të rinjve. Kishte menaxher Altin Rakllin në atë kohë, e mbaj mend. Një lojtar që premtonte shumë, ka bërë një rrugëtim shumë të gjatë në skuadrën tonë përfaqësuese. Sot është një nga veteranët e kombëtares. Është lojtari që natyrisht do të vihet në pikëpyetje, e them këtë nëse Broja do rikthehet nga dëmtimi në kampionatin europian, ndoshta mund të zërë vendin e Cikalleshit. Megjithatë, Cikalleshi gjithmonë ka emocionuar me performancat e tij të jashtëzakonshme, është një lojtar i një niveli të lartë. Jemi me fat që e kemi në kombëtare./tvklan.al