Dashuria për kafshët shtëpiake shprehet në shumë mënyra, por kur bëhet fjalë për të fjetur me to, përkëdhelja dhe afërsia nuk janë të vetmet gjëra që duhen marrë parasysh. Higjiena, vaksinimi, trajtimet antiparazitare dhe kontrollet e rregullta te veterineri janë thelbësore për të mbrojtur shëndetin e kafshëve dhe të njerëzve. Për këtë foli edhe veterineri Erko Prifti, i ftuar këtë të martë, më 20 tetor, në emisionin “Shije shtëpie”.

Sipas tij, fjetja me kafshët shtëpiake është një shprehje e dashurisë dhe afërsisë me to, por kërkon kujdes të veçantë ndaj higjienës dhe parazitëve, për të mbrojtur shëndetin.

“Duke qenë që është një qenie më e ulët se njeriu në distancë nga toka, merr baktere, viruse, myk, parazitë. Tani, në shërbimet e ndryshme veterinare merren informacione se si ne mund të mbrohemi nga kjo. Në momentin që ne jemi korrektë me trajtimet antiparazitare, vaksinimet, ne nuk kemi asnjë lloj risku, asnjë lloj problemi. Nëse nuk i ndjekim këto protokolle, ne marrim përsipër riskun që, për hir të dashurisë së tyre, të sakrifikojmë shëndetin tonë ose të familjarëve tanë.”

Prifti theksoi gjithashtu se larja e duarve nuk e eliminon plotësisht rrezikun e mikrobeve, ndaj sipas tij persnat që merren higjenizimin e kafshëve nuk mund të bëjnë edhe gatimin.

“Do t’i lash duart, por sapuni nuk dezinfekton 100% të baktereve, myqeve dhe viruseve që ti merr nga rruga. Ka zgjidhje, por njerëzit duhet të kenë informacionin e saktë që të jenë të sigurt.”

Gjatë bisedës, veterineri ndau edhe një përvojë personale, duke treguar se si një problem shëndetësor i bashkëshortes së tij e detyroi të merrte një vendim të vështirë për maçokun e familjes.

“Fatkeqësisht, bashkëshortja ime, për shkak të intensitetit tim të lartë të punës në spital si mjek veteriner, pasi erdhi në jetë vajza jonë, i ndodhi një alergji që ia vumë alergjisë nga detergjentët. Ndodhi që, për shkak të injorancës sime personale, nuk e vija re që kollitej, tështinte, dhe intensiteti i jetës që të shkonte të bënte një kontroll alergjie…

U evidentua kur një natë ajo u bllokua shumë keq nga një kollë në gjumë. Edhe thashë: ‘Prit njëherë’. Edhe bëra transferimin e maçokut nga shtëpia në hotel. E lashë për një javë, pastrova me rrënjë çdo gjë dhe u zhduk kolla. Maçokun e adoptova në një familje shumë të mirë që sot e duan jashtëzakonisht shumë. Por nuk e mbajta, nuk e ktheva dot më në shtëpi. Ishte i veçantë, i dashur, shumë i bukur, por nëna e fëmijëve të mi vjen mbi maçokun.”

Veterineri Erko Prifti theksoi se ndjekja e trajtimeve antiparazitare, vaksinimi dhe informimi i saktë janë thelbësore për të shmangur rreziqet shëndetësore që mund të lidhen me bashkëjetesën dhe fjetjen me kafshët shtëpiake.

/tvklan.al