Vdekja e Alexei Navalnyt ishte tema kryesore në emisionin ‘Opinion’ në Tv Klan mbrëmjen e sotme ku ndër të ftuarit ishte edhe nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani. “Një vetësakrificë me ndërgjegje të plotë”, e ka quajtur Ristani rezistencën dhe kthimin në Rusi të Alexei Navalnyt.

Ristani u shpreh se e vetmja pasqyrë të ditëve të fundit të Navalnyt është nëpërmjet korrespondencës që ka pasur dhe komunikimit me gazetarët e huaj. Nga komunikimi që ai ka pasur me botën jashtë Ristani shprehet se marrim sensin e rezistencës nëpërmjet humorit dhe mënyrën se si i përdorte seancat e gjyqit për të dërguar mesazhin e tij.

Anuela Ristani, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës: Duket pak e pabesueshme që një person me vullnet të lirë të dorëzohet për të sakrifikuar për një kauzë që ishte përtej jetës së tij personale. Ishte shumë i qartë dhe deri në fund ishte i ndërgjegjshëm për këtë, pra dhe nëse nuk do të kishte vdekur ishte i dënuar tashmë deri tani me 30 vjet dhe për çdo seancë që bënte këto vite vetëm shtoheshin. Nuk kishte një lloj drite në fund të tunelit edhe nëse do të ishte gjallë. Ishte një vetësakrificë me ndërgjegje të plotë. Çdo formë tjetër rezistence nuk do të kishte vlerën që pati. Ajo që tregoi me sakrificën e tij është që një regjim i cili është i frikësuar në themelet e veta nuk do ta kishte bërë kurrë diçka të tillë.

E vetmja mënyrë që kemi një pasqyrë të ditëve të fundit të Navalnyt është nëpërmjet korrespondencës që ka pasur sepse edhe në burgjet ka pasur një sistem në burgjet e Rusisë se si komunikonin duke paguar që të skanohej një letër e dërguar nga i burgosuri apo kontaktet e tij. Gjithë pasqyra që marrim nga komunikimi që ka pasur me botën jashtë marrim sensin e rezistencës nëpërmjet humorit dhe mënyrën se si i përdorte seancat e gjyqit për të dërguar mesazhin e tij.”/tvklan.al