Vetëvarja në qeli e Bilbil Hasanit, nis hetimi për prokuroren



Vetëvarja në qeli e Bilbil Hasanit, nis hetimi për prokuroren

21:51 02/06/2020

Në fund të muajit Mars emisioni Stop transmetoi rastin e vetëvarjes së Bilbil Hasanit në Dhjetor 2019, në qelitë e paraburgimit 313.

Bilbili ishte akuzuar për një vjedhje ordinere në një prej autobusëve të linjës në Tiranë dhe ai vuante nga çrregullime mendore, skizofreni.

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka nisur verifikimin kryesisht pas publikimit të rastit të vetëvrasjes së Bilbil Hasanit. Emisioni “Stop” ka mësuar nga burime të besueshme se inspektori i lartë ka përmbyllur fazën e parë të këtij procesi, që është verifikimi dhe ka vendosur të nisë hetimin për prokuroren Elina Kombi.

Bëhet fjalë për një proces hetimi të mirëfilltë. Për të njëjtën vepër penale, i ndjeri ishte dënuar edhe më parë dhe kishte marrë si masë detyruese “shtrim në spital psikiatrik” dhe vlerësim të përvitshëm mendor për të. Vlerësim i cili u ndërpre në vitin 2017, pasi ai ishte larguar nga Shqipëria. Ky fakt e rëndon edhe më shumë pozitën e prokurores, e cila nuk është interesuar, apo nuk e ka konsideruar masën e herës së parë. Në këto kushte, pritet që në pak javë të ketë një konkluzion për rastin dhe përgjegjësit, që do t’i shkojë për masë KLP-së.

Saimir Kodra falënderoi të gjitha shoqatat e të drejtave të njeriut që reaguan pas publikimit të rastit në emisionin ”Stop”.

Saimir Kodra: Sigurisht që Bilbil Hasani nuk mund të rikthehet sot pranë fëmijëve dhe bashkëshortes…

Gentian Zenelaj: Çfarëdo që të bëni ju, ai nuk është më.

Saimir Kodra: …por në intervistën e vëllezërve dhe bashkëshortes thanë që: “na e vranë për herë të dytë”, për faktin që e morën duke i ditur problemet që ai kishte…Uroj dhe besoj që drejtësia të vihet në vend. Një duartrokitje për ILD-në, sikurse edhe për KLP-në. Është i dënueshëm një rast vjedhje, abuzimi, përndjekjeje, por nga persona që janë të barabartë përpara ligjit. Njerëzit që kanë probleme të shëndetit mendor përjashtohen nga kjo gjë, ka institucione rehabilituese, ka spitale psikiatrike për ata. /tvklan.al



Të ngjashme