Kërkesë për raportim në Komisionin Parlamentar për Legjislacionin

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë ftuar kryeministrin Avdullah Hoti në raportim përpara Komisionit Parlamentar për Legjislacion. Sipas njoftimit të VV-së, Hoti ftohet për “paralajmërimet e tij për zbatimin e marrëveshjes kundër kushtetuese për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, siç e quan LVV-ja “Zajednicën’”.

Sipas LVV, qëndrimi i kryeministrit Hoti se do të respektohet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, është tendencë për ta vënë marrëveshjen për “Zajednicën” mbi Kushtetutën dhe rendin kushtetues.

“Politikisht kjo marrëveshje bosnjëzon Kosovën dhe vendos konditat për ndarje dhe defunksionalizim të shtetit të Kosovës, kurse në kuptimin kushtetues rrënon rendin kushtetues. Zajednica është projekt i vdekur, i shpallur antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese pas kundërshtimit qytetarë dhe opozitarë. Avdullah Hoti nuk mund t’i imponojë Kosovës dhe popullit të saj një projekt kundërkushtetues dhe që rrënon mundësinë për një shtet unitar dhe funksional”, thuhet në njoftim.

Por kryeministri Hoti nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë nga pyetjet e gazetarëve pas përkujtimit të sulmeve të 11 Shtatorit para pllakës përkujtimore në Prishtinë ku ishte bashkë me ambasadorin amerikan Philipe Kosnet. Një ditë më parë në Bruksel, Kryeministri Hoti ka thënë se Kosova do ta respektojë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Formimi i këtij asociacioni është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit. 

Tv Klan