Tv Klan ka siguruar këtë video të shkëputur nga një prej 3 pamjeve filmike që Policia dhe Prokuroria e Durrësit ka administruar ku 41-vjeçarja, Bedrie Loka, që i dha fund jetës më 3 Janar, dhunohet nga bashkëshorti i saj, Xhemali.

Në video, Xhemal Loka shihet duke kërcënuar dhe ofenduar Bedrien, e cila ndodhet e ulur në divan, ndërsa djali i tyre përpiqet të ndalojë të atin.

Në këto pak sekonda të xhiruara nga djali i vogël i çiftit nuk kuptohet përse Xhemali dhe Bedria po debatojnë. Prokuroria thotë se këto pamje provojnë se 45 -vjeçari e ka dhunuar sistematikisht gruan e tij të ndjerë.

Këtij dyshimi i bashkangjitet dhe deklarata e një prej fëmijëve pas vetëvrasjes, i cili rrëfeu se disa ditë përpara ngjarjes kishte parë të atin e tij ta kërcënonte me thikë nënën e tij. Pavarësisht pretendimeve të prokurorisë, vetë Xhemal Loka edhe në seancën gjyqësore këtë të hënë, ku u la në burg, mohoi ta kishte dhunuar.

Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzat “shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrolleve në shtëpi iu gjet një armë automatike, vepra këto, të cilat 45-vjeçari i mohon kategorikisht.

I gjithë debati, sipas 45 -vjeçarit, ka nisur pas një foto të bashkëshortes së tij që ka qarkulluar në TikTok, ku ajo përflitej për lidhje jashtëmartesore. Përpara gjykatës, ai tregoi edhe bisedën e fundit që kishte pasur me Bedrien përpara se ajo t’i jepte fund jetës me fostoksinë.

“I kam thënë nuses mos u mërzit për fotot që janë në TikTok, se dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë. Debate kemi bërë, por kurrë se kam dhunuar nusen. Kur u përmend në spital i thashë pse e bërë këtë veprim dhe ajo më tha kam qenë shume e mërzitur. Një natë më parë diskutova me nusen që do të iki ne Greqi. I thashë që kudo të dalësh, në pazar, apo diku tjetër, shoqërohu me një femijë, jo vetëm përsa kohë ende fotot e tua janë në TikTok, që askush të mos flasë. Pas kësaj ajo u nxeh dhe në mëngjes ndodhi ajo që ndodhi.”

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur nëna dhe vëllai i Xhemalit.

“Ato gjërat që ishin në internet, asaj iu mbushte mendja për taman, por djali nuk i tha gjë. Asnjëlloj fjale djali nuk i ka thënë.”

Por këto deklarata nuk përkojnë me ato të dhëna nga fëmijët e të ndjerës për policinë. Teksa Xhemal Loka do të qëndrojë në burg, Prokuroria po heton për të zbuluar motivin e vërtetë të këtij akti dhe për të gjetur edhe autorët e shpërndarjes së materialeve denigruese e bullizuese në TikTok.

Tv Klan