Histori me zhurmues – Ngjarja më e rëndësishme e vitit 1981 ndodhi në Dhjetor dhe ishte pikërisht vrasja e kryeministrit të asaj kohe Mehmet Shehu.

Ai u gjet në shtëpinë e tij, aty ku quhej blloku i udhëheqësve në rrethanat e një vetëvrasjeje, gjë që mbetet ende mister. Për të folur për këtë ngjarje të rëndë ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Ali Çeno, ish-truproja personale e Mehmet Shehut.

“Ne na bënte shumë përshtypje se si po trajtohej e gjithë situata si në Kongresin e Partisë, në inagurimin e Muzeut apo edhe në 40-vjetorin e partisë, ku Mehmeti ishte thuajse plotësisht i mënjanuar. Dhe kjo nuk ishte vetëm nga i madhi fare, por edhe nga gjithë të tjetët sepse siç thoshte i madhi bënin të gjithë. Ne na binte në sy, por edhe vetë Mehmeti ishte i shqetësuar. Nuk e shprehte, por reflektimi dhe qëndrimi binte në sy që diçka do të ndodhte. Fejesën e djalit të tij e morën si shkak, por edhe vetë Nexhmia dhe Enveri e uruan. Por pas një muaji dhanë urdhër të prishej fejesa sepse ishin familje me biografi të keqe dhe Mehmeti i tha: Si ka mundësi që një profesor i nderuar të jetë i deklasuar?

Pas presionit që pati Mehmeti vendosi ta prishë këtë fejesë dhe shprehimisht më është drejtuar mua në oborrin e shtëpisë: “Ali kësaj i thonë të hysh në ndjenjat e fëmijës dhe t’ia prishësh ato. U detyrova ta prish fejesën. A mundet që fejesa të prishet në shtëpinë tënde? Nuk dua ta bëj këtë në shtëpinë time”.

Dhe ashtu u bë, ndarja përfundimtare e çiftit u bë në shtëpinë time. Ata 2 orë kanë qëndruar duke qarë me njëri-tjetrin. Kur e çova vajzën në shtëpi më përqafoi babai i saj dhe i mbushi sytë me lot.

Në atë kohë ishin forcuar pozitat e Ramiz Alisë dhe ai propozoi që Mehmet Shehut t’i hiqej vërejtje e rëndë në librezë. Baza e kësaj ishte rivaliteti mes tyre, sepse pas vdekjes së Enverit pushteti i kalonte Mehmetit. Pas vdekjes së Mehmet Shehut mua më transferuan në Cerrik dhe gjatë gjithë kohës më survejonin. Kam qëndruar në Cerrik derisa më arrestuan dhe më çuan në Elbasan ku më kanë torturuar në mënyrë ç’njerëzore për 18 muaj. Më kërkonin të pranoja që me urdhër të Mehmetit unë kisha dashur të vras Enver Hoxhën dhe akuza të tjera, por këto nuk ishin të vëreta”,tha Çeno.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al