Vetëvrasjet 3 herë më shumë se vrasjet

Vetëvrasjet 3 herë më shumë se vrasjet

09:21 11/09/2019

Ekspertët: Shkak, sëmundjet mendore. Apel prindërve për kujdes

Vetëvrasjet në Shqipëri shkaktojnë tri herë më shumë viktima se sa vrasjet. Sipas të dhënave të Institutit të eStatistikave, 1% e vdekjeve në vend vijnë nga vetëvrasjet, ndërsa vrasjet janë në nivelin 0.3%.

Në ditën botërore kundër këtij fenomeni, OBSH  jep alarmin se çdo vit 800 mijë persona i japin fund jetës. Edhe në Shqipëri shifra është e lartë, pasi mesatarisht çdo vit 230 persona zgjedhin të ndërmarrin këtë akt ekstrem. Për eksperten e shëndetit mendor Arjana Rreli, pas çdo rasti të tillë tragjik, fshihet një problem i shëndetit mendor.

“Personi merr një vendim ekstrem për jetën e tij, në momentin kur mendon që asgjë nuk ka zgjidhje, që të gjitha ato shqetësime, apo të gjithë faktorët që kanë çuar në këto shqetësime, janë probleme kaq të mëdha, sa ai vetë nuk i suporton dot më”.

Ajo u bën apel familjarëve, por edhe rrethit shoqëror të personave që kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor, që të shohin me vëmendje sjelljen e tyre, pasi çdo person para vetëvrasjes jep shenja.

“Vihet re tendenca e shfaqjes së problemeve të shëndetit mendor, edhe tek të rinjtë, më së shumti aktualisht. Përballen me një treg të vështirë, me konflikte të mëdha sociale dhe shoqërore dhe kjo bën që të ngarkohen shumë më tepër”.

Sipas psikiatres, problemet e shëndetit mendor në vend po shtohen duke prekur edhe moshat më të reja. Ndërkohë që shkaktar sipas saj janë kushtet ekonomike dhe ato sociale.

“Pothuajse secili nga ne vuan çrregullime të ankthit. E rëndësishme është që duhet të jemi mendjehapur për të pranuar problematikën tonë dhe për të kërkuar sa më shpejt ndihmë, që të mënjanojmë të gjitha komplikacionet”.

Të dhënat e OBSH tregojnë se një në 4 persona vuan nga problemet e shëndetit mendor gjatë jetës së tij. Ndërkohë që forma më e përhapur janë çrregullimet e ankthit, problem që është përhapur masivisht në shoqërinë shqiptare.

Klan Plus

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT