Sa herë që dikush i jep fund jetës, krahas trishtimit, harrojmë një tjetër problem: humbja e kapitalit njerëzor dhe ndikimi financiar pas vetëvrasjes. Këto kosto ndikojnë te të afërmit, komuniteti dhe në shoqëri. Në Shqipëri nuk ka statistika financiare që lidhen me sjelljen vetëvrasëse. Megjithatë, ekspertët pohojnë se ana financiare është një ndër ndikuesit kryesorë. Kësaj i shtohen rritja e individualizmit dhe presioni i rrjeteve sociale…

Në Shqipëri nuk janë të tjerët që ta heqin jetën, por mbizotërojnë ata që tentojnë të largohen vetë nga kjo botë. Burime nga Policia e Shtetit konfirmuan për revistën “Monitor” se numri i vetëvrasjeve në vitin 2017 në total ka qenë 197, ndërsa vrasjet 50. Ndonëse numri i vetëvrasjeve krahasuar me 2016 ka rënë (-16%), raporti me vrasjet është rritur. Numri i vetëvrasjeve në Shqipëri në 2017 është katërfish më i lartë se numri i vrasjeve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 78% të vetëvrasjeve në rang global ndodhin në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Prof. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve, pohon për “Monitor” se janë shumë faktorë të vetëvrasjeve e pse po bëhemi një shoqëri e cila po e përqafon këtë fenomen. Një ndër këto arsye është pamundësia e individit për të realizuar qëllimet që ka në jetë.

“Shumica prej nesh kanë dëshira e qëllime, që në disa raste janë të paarritshme. Nuk po flas për qëllime të mëdha, por sipas nevojave që kemi, në këtë mjedis që jetojmë: qëllime bazike për individin. Siç është jetesa me një stabilitet ekonomik, mjedis i qetë, me marrëdhënie sociale të vendosura drejt midis grupit social në të cilin ai bën pjesë. Ndonjëherë mosrealizimi i këtyre e çon individin në fenomenin e vetëvrasjes, sepse e sheh veten të pashpresë; nuk realizon asnjë nga këto qëllime dhe e gjen veten pa statusin që mendonte të kishte në shoqëri, pa mundësinë për të mbajtur një familje etj., pa marrë parasysh që edhe vetë kërkesat e vendosura nga shoqëria, mund të jenë të papërballueshme nga individi”, – tregon prof. Muçaj.

Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, pohon se depresioni është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale dhe ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë bëhet fjalë për një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes.

Duke qenë se jetojmë në një shoqëri globale, detyrimisht globalizimi ka sjellë të mirat dhe të këqijat e veta, “Momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj. Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë. Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike. Ne jemi në një epokë të jetës post-moderne dhe individualiste njëkohësisht, që ndër vështirësitë që ka sjellë për individin janë arritja e qëllimeve si një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh varfërinë etj.”- pohon ekspertja.

Efektet në ekonomi

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), sjellja vetëvrasëse ka ndikim dramatik në vendin e punës në terma njerëzorë dhe financiarë. Gjithashtu, njihet kostoja për ekonominë e gjerë. Kur një person në moshë pune tenton t’i japë fund jetës, ai individ menjëherë bëhet ekonomikisht joproduktiv; punëdhënësi i tij duhet të gjejë dhe trajnojë një zëvendësues (ai do të mungojë në punë, nëse humb jetën ose veprimi i tij mbetet në tentativë).

Familja e tij do të vuajë sepse ai nuk mund të kontribuojë më në shtëpi, sidomos n.q.s. ka qenë kryefamiljar. Në fakt, familja e tij është e ngarkuar me shpenzime. Nëse personi vdes, familja duhet të financojë shpenzimet e udhëtimit (n.q.s. ka qenë jashtë Shqipërisë), të varrimit dhe të tjera. Edhe nëse ai është me fat dhe i mbijeton aktit të vetëvrasjes, familja duhet të paguajë faturat mjekësore, si dhe shpeshherë edhe shtrimin e gjatë në spital. Për shqiptarët, shumë prej të cilëve jetojnë vetëm me pagat mujore, këto kosto janë të rëndësishme.

Në çdo rast, ka edhe kosto për taksapaguesit e gjerë: policia duhet të përfshihet, punonjësit socialë mund të kenë nevojë të ndërhyjnë dhe sistemi i mbingarkuar i kujdesit shëndetësor publik mund të duhet të akomodojë dhe trajtojë një pacient tjetër për ditë, javë ose më gjatë.

Nëse personi ka fëmijë, perspektivat e tyre për një arsim do të preken. Në fakt, pa një prind, një fëmijë mund të bëhej jo rrallëherë “pre” e ndikimeve negative, që shpesh çojnë në vepra penale, duke shtuar kështu barrë të mëtejshme financiare për shoqërinë për vitet që do të vijnë: burgjet.

Kostoja e vetëvrasjes ndaj ekonomisë së një vendi është gjithmonë e madhe. Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve vlerësojnë se kostoja e vetëvrasjes së një mashkulli në moshë mesatare pune, është 3,875 dollarë. Bazuar në këtë përllogaritje, mund të pohojmë lehtësisht se Shqipëria thjesht nuk mund ta përballojë shkallën e lartë të vetëvrasjes që po përjeton aktualisht.

2017, ulen rastet, por katërfishohet raporti vetëvrasje/vrasje

Në Shqipëri, vetëvrasjet është një fenomen i cili nuk komentohet shumë. E kundërta ndodh me vrasjet, për të cilat kronikat tejmbushen.

Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Shtetit, numri i vetëvrasjeve në vitin 2017 në total ka qenë 197, ndërsa vrasjet 50. Në krahasim me vitin 2016, numri i vetëvrasjeve raportohet të jetë ulur me 16.

Gjatë 6-mujorit të parë të 2017-s, kanë ndodhur gjithsej 111 vetëvrasje, sipas të dhënave të Policisë, nga të cilat 55 raste në qytet dhe 56 raste në fshat. Nga rastet e mësipërme në 40 raste viktima ka qenë femër (2 raste të mitur deri në 18 vjeç, 11 raste nga mosha 18-30 vjeç, dhe 27 raste me moshe mbi 30 vjeç), dhe 71 raste meshkuj (4 raste deri në 18 vjeç, 26 raste 18-30 vjeç, dhe 40 raste mbi 30 vjeç).

Arsimi i viktimave në 70% të rasteve është me arsim 0-9 klasë shkolle, 25% e rasteve janë me arsim të mesëm dhe 5% me arsim të lartë.

Në 6-mujorin e parë 2016 kanë ndodhur gjithsej 103 raste nga të cila 37 në qytet dhe 66 raste në fshat, nga këto 40 raste, viktimat kanë qenë femra dhe 63 meshkuj.

Për vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë vrarë 85 persona, ndërsa personat që i dhanë fund jetës në të njëjtin vit ishin 235.

Ekspertët e fushës së psikologjisë pohojnë për “Monitor” se dy vitet e fundit ka pasur rritje të fenomenit të vetëvrasjeve në vend. E ndonëse vitin e shkuar shifrat ishin më të ulëta se 2016, ekspertët rikujtojnë edhe rastet kur ky fenomen ka mbetur në tentativë. Sipas tyre, tentativat për marrjen e jetës kanë qenë të shumta, por nuk janë raportuar dhe kryesisht në grupmoshën e adoleshencës, rinisë së hershme.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor” me të dhënat që publikoi Instituti i Statistikave, numri i vetëvrasjeve për 100 mijë banorë për vitin 2016 në Shqipëri ishte 8.2. Në shifrat e vitit 2015, sipas OBSH, meshkujt rezultojnë me normë më të lartë vetëvrasjeje. Sipas këtyre të dhënave, 5.3 meshkuj për 100 mijë banorë kanë bërë vetëvrasje, ndërsa femrat kanë normë më të ulët, 2.4 vetëvrasje për 100 mijë banorë.

Në studimin e OBSH-së tregohet se normë të lartë vetëvrasje ka veçanërisht në vendet e Europës Lindore, ku në pjesën më të madhe të tyre, treguesi e kalon shifrën e 35 vetëvrasjeve në 100 mijë banorë.

ISSH: Depresioni në rritje

Në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Në të dy gjinitë, niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 në 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, të vetmet të disponueshme.

Niveli i standardizuar në total i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në Shqipëri në vitin 2010 (3.6 vdekje për 100,000 banorë) ishte i krahasueshëm me atë të Malit të Zi dhe Greqisë, por më i ulët se i Serbisë, Sllovenisë, dhe sidomos Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në fakt, në Bosnjë-Hercegovinë dhe Slloveni, niveli i vdekjeve nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes ka mbetur praktikisht i pandryshuar në dy dekadat e fundit (në Slloveni: 5.9 dhe 5.8 respektivisht në vitin 1990 dhe 2010, ndërsa në Bosnjë-Hercegovinë: 8.3 dhe 8.5, respektivisht).

Ekspertët e fushës së psikologjisë pohojnë se numri i të prekurve nga depresioni është rritur shumë, sidomos 5 vitet e fundit. Ndërsa në një shkrim të mëparshëm të revistës “Monitor”, u evidentua se importet e dy barnave kryesore për trajtimin e sëmundjes së depresionit (Loram dhe Xanax) u rritën me ritme dyshifrore në vitin 2016.

Arsyet ekonomike, të pashmangshme. Ndikimi nga raportimi në media

Një numër studimesh empirike kanë gjetur se ka rritje të vetëvrasjeve pas raportimit të tyre në media, një lidhje që i referohet fenomenit të imitimit. Bazuar në këto të dhëna, OBSH-ja ka zhvilluar një manual për mediat se si t’i raportojnë vetëvrasjet.

Nga ana tjetër, ekspertët tregojnë se televizioni në Shqipëri duhet të jetë shumë i kujdesshëm në trajtimin e rasteve të tilla, duke qenë se oraret e transmetimit shpesh nuk janë të favorshme për të gjitha moshat.

Shkaqet

Momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj. Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë. Që do të thotë se po evidentohen gjithnjë e më shumë individë me komunikim më pak të gjithanshëm, njerëz pesimistë. Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike

INTERVISTA

Flet Prof. Asoc. Dr. Arjana Muçaj, anëtare e Këshillit të Psikologëve

“Vetëvrasja, fenomen që ‘ushqehet’ nga arsyet ekonomike”

Si e shpjegoni rritjen e numrit të vetëvrasjeve vitet e fundit në vendin tonë?

Shoqëria ka evoluar me hapa të mëdha dhe për rrjedhojë janë rritur edhe problemet, në aspektin social të individit, në marrëdhënie me të tjerët, në aspektin familjar etj., sepse është shumë e rëndësishme se si e shohim zhvillimin e atij individi në mjedisin social në të cilin jeton. Sa i përket rritjes së numrit të vetëvrasjeve, janë shumë faktorë të cilët mund të tregojnë se pse ndodhin vetëvrasjet e pse po bëhemi një shoqëri e cila po e përqafon këtë fenomen.

Një ndër këto arsye është pamundësia e individit për të realizuar qëllimet që vendos në jetë. Shumica prej nesh kanë dëshira e qëllime, që në disa raste janë të paarritshme. Nuk po flas për qëllime të mëdha, por sipas nevojave që kemi, në këtë mjedis që jetojmë: qëllime bazike për individin. Siç është jetesa me një stabilitet ekonomik, mjedis i qetë, me marrëdhënie sociale të vendosura drejt midis grupit social në të cilin ai bën pjesë.

Ndonjëherë mosrealizimi i këtyre e çon individin në fenomenin e vetëvrasjes, sepse e sheh veten të pashpresë; nuk realizon asnjë nga këto qëllime dhe e gjen veten pa statusin që mendonte të kishte në shoqëri, pa mundësinë për të mbajtur një familje etj., pa marrë parasysh që edhe vetë kërkesat e vendosura nga shoqëria, mund të jenë të papërballueshme nga individi.

Po faktorë të tjerë që ndikojnë?

Një tjetër faktor që ndikon është edhe çrregullimi psikologjik. Flasim për depresionin, i cili është një fenomen që po kap një numër të madh individësh në shoqërinë shqiptare. N.q.s. rendisim arsyet sociale, ekonomike që ia bashkëngjisim depresionin, atëherë kemi një depresion madhor, që rrit shanset për t’i çuar drejt fenomenit të vetëvrasjes. Duke thënë se jetojmë në një shoqëri globale, detyrimisht ky globalizim ka sjellë të mirat dhe të këqijat e veta. Në këtë rast, individualizimi, i cili në rastin tonë ka ardhur pas një periudhe të gjatë kolektiviste.

Pra, momentalisht po jetojnë individë që shohin të mirat e vetes dhe shumë pak të kontribuojë për shoqërinë, për rrethin e ngushtë etj. Ky individualizëm e ka shndërruar individin të vetëm, brenda grupit social në të cilin ai bën pjesë. Që do të thotë se po evidentohen gjithnjë e më shumë individë me komunikim më pak të gjithanshëm, njerëz pesimistë. Të gjitha këto ndikojnë në lindjen e depresionit, përpos shkaqeve gjenetike. Ne jemi në një epokë të jetës post-moderne dhe individualiste njëkohësisht, që ndër vështirësitë që ka sjellë për individin janë arritja e qëllimeve si një njeri i suksesshëm, të arrish objektiva vazhdimisht, të jesh konkurrues, të përballosh sfida, të përballosh varfërinë etj.

A ka ndarje apo dallime në moshë, gjini?

Për mendimin tim, nga pikëpamja moshore më të rrezikuarit janë adoleshentët dhe ne duhet të kemi kujdes të madh, sepse mosha e tyre është delikate. Studimet e fundit nxjerrin moshën 14-25 vjeç si më të prekur nga ky fenomen. Të tjera studime e kanë çuar deri në moshën 29-vjeçare. Është edhe mosha e rritur e vonë e prekur, arsyet se pse e marrin këtë akt i diferencojnë.

Adoleshentët, duke jetuar në periudhën e zhvillimit shpërthyes të individit dhe formimit të personalitetit, janë lehtësisht të ndikueshëm nga faktorët socio-ekonomikë. Konkretisht, edhe në Shqipëri, ideja e adoleshentëve për të konkurruar për status: veshje, teknologji, para, makina luksoze, udhëtime etj., i vë ata nën një trysni që shpesh i çon në vetëvrasje. Edhe rrjetet sociale janë një faktor negativ në këtë mes, pasi u ofron mundësi ekspozimi të gjerë, nga ku një pjesë nuk mundet të arrijë të ketë të njëjtat. Ne si ekspertë e quajmë si dukuri “të pasurit të gjithçkaje”. Por jo të gjithë arrijnë t’i kenë dhe frustrohen. Presioni social shpesh bëhet i fortë dhe mund të ndikojë në marrjen e vendimit të vetëvrasjes.

Sa i përket moshës së rritur të vonë, ose të moshuarit, janë kryesisht të prekurit edhe nga sëmundja e depresionit, ose ajo kategori të cilët jetojnë vetëm, Duke qenë se gjithnjë e më shumë familja po shpërbëhet në bërthama më të vogla, dhe nuk është si familja e dikurshme patriarkale, shpesh të moshuarit mbeten vetëm. Në kushtet e mungesës së përkujdesjes dhe të pamjaftueshmërisë së të ardhurave (pensionit) për të kaluar muajin, i çon në vetëvrasje.

Në moshën e mesme, ky fenomen ndodh më rrallë, arsyet janë: çrregullime të sjelljes psikologjike, trauma si humbja e një personi të dashur dhe arsyet ekonomike. Në këtë grup-moshë arsyet ekonomike janë më të mëdha që e detyrojnë të vetëvritet. Persona të tillë, të gjendur përpara përgjegjësisë për të mbajtur një familje, kushteve të vështira të jetës, pagës së ulët ose papunësisë, mospërballimit të shpenzimeve, pamundësisë së strehimit, etj., gjejnë si zgjidhje të vetme vetëvrasjen. Por, duhet pasur parasysh që një familje që humbet kryefamiljarin përballet edhe më keq me vështirësinë financiare.

Çfarë mund të bëjë shteti shqiptar në këtë drejtim?

Ajo çfarë mund të bëhet është të pasurit të politikave sociale në nivel më të mirë. Çfarë dua të them me këtë? Në rastin e një familjeje në nevojë, adresimi i vendit të punës, pagesa e ndihmës ekonomike, banesat sociale, akses në shëndetësi falas etj. Për fëmijët: libra dhe mjete shkollore falas etj. Duhet pasur parasysh se në shëndetin e një shoqërie ka ndikim të konsiderueshëm niveli i papunësisë, i varfërisë, krizat ekonomike që përjetojnë familjet shqiptare, vështirësitë në aksesin e shëndetësisë, siguria, kriminalitetit, vrasjet, vjedhje etj.

Presioni i rrjeteve sociale

Edhe rrjetet sociale janë një faktor negativ në këtë mes, pasi u ofron mundësi ekspozimi të gjerë, nga ku një pjesë nuk mundet të arrijë të ketë të njëjtat. Ne si ekspertë e quajmë si dukuri “të pasurit të gjithçkaje”. Por jo të gjithë arrijnë t’i kenë dhe frustrohen. Presioni social shpesh bëhet i fortë dhe mund të ndikojë në marrjen e vendimit të vetëvrasjes.

Nga Deada Hyka/Monitor