Pas një vizite në Tiranë ku kishte folur në “Shtëpinë e Librit”, Veton Surroi, publicisti i njohur ishte i ftuar në emisionin “Opinon”, realizuar më datë 19 Shtator të vitit 2002.

Gazetari Blendi Fevziu e nisi intervistën me publicistin duke filluar me pyetjet për arrestimin e disa prej ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës. Siç deklaroi Surroi vala e arrestimeve dëshmonte mungesën e sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ai u shpreh se liderët politikë kishin dëshmuar se do të bashkëpunojmë me gjykatën e Hagës, gjë që sipas tij tregonte përgjegjësi.

“Ne ende nuk kemi arrestime për krime kundër njerëzimit në Hagë. Sipas paralajmërimeve që janë bërë, mendoj se pas zgjedhjeve do të kemi arrestime që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit. Në këtë drejtim besoj se një prej motiveve themelore do të jetë edhe krijimi i një lloj balance drejtësie. Me valën e fundit të arrestimeve kemi të bëjmë me mungesë të sistemit të drejtësisë. Kjo do të thotë se njerëzit po arrestohen për krime që supozohet të jenë bërë në vitin 1999. Normalisht lind pyetja se përse arrestimet nuk janë bërë më 1999, por tani? Kjo tregon mungesën e një sistemi drejtësie në Kosovë. Besoj se do të ketë të tjera arrestime që do kenë të bëjnë me Hagën, por nuk mund të spekulohet me emra. Të gjithë liderët politikë kanë dëshmuar se do të bashkëpunojmë me gjykatën e Hagës, kemi nivel përgjegjësie nga liderët politikë në Kosovë, gjë që nuk e kishte asnjë pre ish-Republikës Jugosllave. Statusi i Kosovës po definohet në përditshmëri gjë që do të thotë se marrja e kompetencave nga kosovarët, krijimi dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës do të thotë vendosja e një realiteti të ri që do të shpjerë në zgjedhjen e statusit. Unë jam shumë kritik me zhvillimet e deritanishme sepse nuk shoh të ndërtohet as shteti dhe as shteti i së drejtës. Shoh një kakofoni administrative e cila nuk shpie në drejtimin e duhur”, tha Surroi.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012