Verifikimi i njohur në termin ndërkombëtar edhe si “vetting” po shtrohet si nevojë që të bëhet edhe në sektorin e arsimit. Kohë më parë këtë e kishte kërkuar edhe përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova.

Ajo pati thënë se në kuadër të reformave në sektorin e arsimit duhet të kishte edhe vetting apo verifikim të të gjitha kuadrove në sistemin arsimor. Për këtë verifikim, të cilin e ka theksuar Apostolova, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë të jenë dakorduar me përfaqësuesit e BE-së që në fillim të punës së tij.

Bytyqi: Depolitizimi i shkollave, sfidë që duhet të tejkalohet

Ai thotë se është parë e nevojshme që ministria të bëjë një rishikim funksional.

“BE ka bërë një analizë të funksionimit të Ministrisë së Arsimit e cila ka dal me shumë rekomandime për ndryshimet që janë të nevojshme të bëhen brenda ministrisë së arsimit.

Ne jemi në fazën finale ku kemi bërë një organogram të ri, një rregullore të re të përshkrimit të detyrave të punës brenda ministrisë me qëllimin e vetëm që të bëjmë më funksionale Ministrinë e Arsimit karshi obligimeve dhe problemeve që do t’i kemi në të ardhmen, qoftë në sistemin arsimor universitar dhe parauniversitar”, thotë ministri Bytyqi.

Sipas ministrit Bytyqi, është e nevojshme që të ketë verifikim për stafin që menaxhojnë departamentet apo divizionet në mënyrë që të ketë njerëz kompetent në udhëheqjen e këtyre departamenteve.

Sektori i arsimit për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara. Cilësia e dobët në arsimështë theksuar si një nga problemet më të mëdha që përballet ky sektor në Kosovë.

Mbi 120 mijë thirrje për arsim më të mirë

Të gjitha ngecjet në fushën e arsimit ishte theksuar të jenë edhe si pasojë e njerëzve jo profesionistë dhe jo kompetentë që kanë udhëhequr me institucionet arsimore.

Ismajl Kurteshi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se menaxhementi arsimor në të gjitha nivelet ka nevojë për verifikim.

“Arsimi si sektor më i rëndësishëm është në gjendje tepër të palakmueshme. Për ta rregulluar arsimin duhet të ndërmarrim veprime konkrete. Duhet të përzgjidhen njerëz që dinë si të punojnë në arsim dhe kanë vullnet të ndryshojnë këtë gjendje në arsim dhe ajo shkon përmes një përzgjedhje që quhet vetting. Dhe natyrisht ata që janë dëshmuar se nuk janë profesionistë të arsimit duhet të largohen nga arsimi. Me njerëz të duhur do të ndihmohej sektori i arsimit dhe rrjedhimisht i gjithë zhvillimi i vendit”, thotë Kurteshi.

Në anën tjetër, verifikimi në sistemin e arsimit, sipas Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë shihet si i domosdoshëm për drejtuesit e institucioneve arsimore, por jo edhe për mësimdhënësit.

Ai thotë se dokumentacionet e mësimdhënësve janë verifikuar dhe në numër absolut të rasteve ata kanë pasur shkollim adekuat.

Tekste shkollore jocilësore dhe pa mjete konkretizimi

“Një vetting për mësimdhënësit nuk e shoh të nevojshme, pasi që mësimdhënësve disa herë iu është kontrolluar dokumentacioni dhe mund të jetë një defekt i vogël, por në përgjithësi këtë sprovë mësimdhënësit e Kosovës e kanë tejkaluar dhe është vërtetuar se ata kanë dokumentacion dhe kanë ngritje adekuate profesionale. Kjo është vërtetuar edhe në rastin e kërkesës që ka bërë MASHT për dokumentacionin që ka lëshuar licencat e para për mësimdhënësit, e këtë do ta bëjë edhe tani”, thotë Jasharaj.

Ndryshe, shumë institucione të Kosovës, është theksuar se kanë nevojë për procesin e verifikimit. Verifikimi është parë si i domosdoshëm sidomos për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale në përgjithësi./REL