Gjykata Kushtetuese i ka dërguar edhe një herë Komisionit të Venecias ligjin e Vetting-ut. Shkak është bërë një gabim në përkthimin në Anglisht të Ligjit. Gabimi i është vënë në dukje Kushtetueses nga Partia Demokratike, e cila më pas i ka paraqitur një kërkesë me shkrim për ta ridërguar përkthimin e saktë të Ligjit në Venecia.

Televizioni Klan mësoi se në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, kryetari Basha ka deklaruar se përkthimi i dërguar nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Venecia është jo korrekt dhe se prek pikërisht ato  dispozita që Partia Demokratike i cilëson antikushtetuese.

Klan u interesua në Gjykatën Kushtetuese, ku mësoi nga drejtues të saj se përkthimi i ligjit që mbërriti në Komisionin e Venecias më 25 Tetor ishte bërë nga ekspertët e misionit EURALIUS.

Të njëjtat burime konfirmojnë pretendimet e opozitës për parregullsi në variantin fillestar, por sqarojnë se gabimet në përkthim nuk e cënojnë thelbin e ligjit.

Pas evidentimit të disa parregullsive në variantin e përkthyer nga EURALIUS, Gjykata Kushtetuese ka thirrur ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë. Pas rregullimeve, varianti i ri i përkthyer i Ligjit të Vetting-ut është dërguar me urgjencë në orët e pasdites në Komisionin e Venecias.

Në diskutimet e bëra në mbledhjen e Grupit Parlamentar demokrat, ky është quajtur një rast flagrant i përmasave të mëdha.

Zbatimi i Ligjit të Ventting -ut është vënë si kusht nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave. Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian do të vendosë më 15 Dhjetor mbi këtë rekomandim.

Përgjigja e Komisionit të Venecias për Vetting -un pritet më 10 Dhjetor dhe nuk është e qartë nëse rishikimet e përkthimit do të vonojnë kthimin e përgjigjes në Gjykatën Kushtetuese apo nëse gjykatës do t’i mjaftojnë 5 ditë kohë për të shqyrtuar arsyetimin e Venecias dhe për të vendosur mbi ligjin.

Tv Klan