Një gardian i paraburgimit të Vlorës është pushuar nga puna me argumentimin se ka qenë i dënuar për fyerje në regjimin e Enver Hoxhës. Robert Shllega ka treguar për emisionin “Stop” në Tv Klan se prej 10 vitesh ka punuar në IEVP-në e Vlorës, ndërsa në Qershor të vitit 2018 e liruan nga detyra. Fillimisht i thanë se shkak ka qenë një dënim i vitit 2002, por gardiani u interesua dhe zbuloi se nuk kishte asnjë dënim. Më pas, për ta shkarkuar nga puna i nxorrën motivacionin e një “njolle në biografi” në vitin 1989.

Robert Shllega:

“Ju drejtova emisionit “Stop” sepse është bërë një padrejtësi te vendi i punës që kam qenë. Unë kam filluar punë në Fier në ’96. Punova 6 muaj me policinë kriminale dhe më pas fillova në Vlorë me Policinë e Shtetit te reparti i rendit. Aty pastaj ika për çështje ekonomike, kam qenë emigrant në Greqi me dokumente të rregullta dhe në 2008 kërkonin te paraburgimi i Vlorës punonjës policie që kanë qenë punonjës policie. Atje shkova bëra dokumentet, bëra dhe një trajnim 15-ditore dhe fillova punë më 3 Qershor 2008. Dhe në 30 Qershor 2018 më liruan nga detyra si mosplotësim kriteresh ligjore. Ka qenë një punë shumë e vështirë ajo, jo për mua por për të gjithë kolegët e mi. Atje ishin të dënuar policët, nuk ishin të dënuar ata që kishin kryer vepra penale. Kemi qenë të dënuar gjithë policët. Kam qenë i burgosur në liri”.

Në vitin 1989, Robert Shllega u dënua në emër të popullit me punë të detyruar për fyerje. Ky dënim i kohës së regjimit hoxhist i ka kushtuar sot vendin e punës. Shllegës i kishin mbetur edhe dy vite punë për të dalë në pension të parakohshëm, por vettingu në policinë e burgjeve e hoqi atë nga detyra.

Robert Shllega:

“Si shpërblim mora atë që më hodhën në rrugë të madhe. Nuk e besoja kurrë, se kisha 10 vjet e 1 muaj që punoja te paraburgimi i nderuar i respektuar, më nxorrën një pretendim që ke qenë i dënuar në vitin 2002 në Gjykatën e Rrethit të Gjirokastrës. Shkoj e marr atë vendimin në Gjirokastër, shikoj me vendim 102, tha këtu nuk ekziston fare emri jot. Këtu janë dy persona të tjerë të dënuar për falsifikim. Dhe jam detyruar të marrë dokumente të rregullta e vula të njoma dhe i kam kthyer prapë në Drejtori të Përgjithshme. Më nxorrën një njollë tjetër pastaj, në ’89 isha i dënuar në emër të popullit goditje për shkak të detyrës në kohën e Enverit. Dhe dy vjet edhe dilja në pension të parakohshëm se moshën nuk e kam për pension, se doja dhe 7 vjet akoma”.

Kurse drejtori i paraburgimit të Vlorës, Ilir Aliaj thotë për “Stop” se gardiani Robert Shllega ishte një nga punonjësit më shembullorë të këtij institucioni. Ai shprehet se u shkarkua me motivacionin “marrë jashtë kritereve” pasi u bë vettingu i policisë së burgjeve.

Ilir Aliaj, drejtori i IEVP Vlorës:

“Në lidhje me këtë punonjës, para disa muajsh është larguar nga kjo detyrë me motivacionin “marrë jashtë kritereve”. Në policinë e burgjeve është bërë një vetting, dhe nga vettingu dolën nga Ministria e Drejtësisë, u gjetën rreth 123 persona që ishin marrë jashtë kritereve. Kanë qenë të dënuar nga drejtësia shqiptare. Për këtë arsye janë thirrur në Drejtori të Përgjithshme dhe u është komunikuar urdhri, ndoshta atje mund të ketë dhe dokumentacion shtesë në lidhje me këtë problem. Ne nuk kemi, kemi vetëm urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe që i ka larguar këta persona me motivacionin “marrë jashtë kritereve”. Kemi zbatuar urdhrin e drejtorit të përgjithshëm. Personalisht, si punonjës është njeri shembullor, model për punën që kryente”.

Me besimin se problemi i z.Robert Shllega do të zgjidhet, ky është një nga ato rastet që dëshmon se ligji për vettingun brenda policisë duhet të modifikohet për të mos penalizuar punonjës të tillë që kanë pasur dënime “në emër të popullit” të kohës së Enver Hoxhës.

/tvklan.al