Komisioni i Vlerësimit për Vettingun në polici ka konfirmuar në detyrë Gjovalin Lokën, drejtorin e Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit.

Gjovalin Loka doli sot para trupës së Vettingut për t’u vlerësuar për figurën e tij profesionale. Vettingu zbuloi se Loka ka qenë operativ i Sigurimit të Shtetit për disa muaj në vitin 1991, fakt të cilin nuk e kishte treguar.

Por gjatë evidentimit në seancë të së kaluarës së tij, Gjovalin Loka u shpreh se në atë kohë ka qenë student dhe nuk kishte dënuar askënd, duke kërkuar kështu që të mos diskriminohet.

Bazuar edhe në të dhënat e Autoritetit të Dosjeve, u provua që Loka nuk kishte firmosur asnjë dokument. Në këtë mënyrë, ai u la në detyrë duke kaluar procesin e Vettingut. /tvklan.al