Mungesa e opozitës nuk e ka penguar maxhorancën të votojë për ngritjen e Komisionit Ad Hoc të Vetting-ut.

Maxhoranca në komisionet Ad Hoc për verifikimin e kandidatëve për institucionet e Vetting-ut do të përfaqësohet nga socialistët Vasilika Hysi e Ulsi Manja si dhe Luan Rama i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Por në votim u hodh dhe emri i Shpëtim Idrizit, i cili mori vetëm 23 vota çka shkaktoi dhe reagimin e kësaj force e cila pretendoi se duhet të ishte përfaqësuar me një deputet në Komisionet Ad Hoc. Rrëzimi i kandidaturës së Idrizit sipas Mesila Dodës është provë e arrogancës së Partisë Socialiste.

Ndërsa Ben Blushi i cili e beri publike votën e tij kundër të gjitha kandidaturave i kërkoi dorëheqjen kryeministrit Rama që sipas tij po mban peng drejtësinë dhe zhvillimin e zgjedhjeve.

Kërkesën për dorëheqje të Blushit, Edi Rama nuk e dëgjoi live pasi ai dhe shumica e deputetëve socialistë u larguan nga salla kur ish-kolegu i tyre Blushi mori fjalën. Menjëherë pas përfundimit të seancës Rama shkruajti në Facebook se “Procesi i zbatimit të Ligjit të Vetting-ut nisi me votën e Kuvendit.

Mund ta vonojnë po as Vetting-un as Shqipërinë nuk e ndalojnë dot. Por pavarësisht votimit të sotëm Komisionet Ad Hoc për verifikimin e kandidatëve të institucioneve të Vetting-ut nuk do mund të jenë funksionale derisa të plotësohen me anëtarë dhe 3 vendet që i takojnë opozitës./ TV KLAN