Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se marrëveshja e Qeverisë Rama me Greqinë për kufirin detar, më parë kalon mbi trupat e deputetëve të opozitës.

Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së Parlamentit, Berisha deklaroi se Kryeministri Edi Rama duhet të bëjë transparencë për këtë marrëveshje, dhe kurrsesi 12 milje në det nuk mund t’i jepen Greqisë. Ish-Kryeministri theksoi se zona për të cilën diskutohet, ka sasi të madhe të gazit në të gjithë Mesdheun.

“Përjashtoi kreun e grupit parlamentar që të zhduket hajdutërisht sepse ka bërë aktin më të rëndë në historinë e ketij vendi, ka bërë pazarin e kufirit detar të Shqipërisë me Greqinë, në të cilën ministri i Jashtëm i Greqisë thotë fituam zgjerimin me 12 milje të ujërave. Ministri i Jashtëm grek këtë deklaratë e ka 100% të vërtetë. Edi Rama ka dorëzuar fushat më të mëdha të gazit të Mesdheut. Sipas marrëveshjes tonë i takonin 100% Shqipërisë. Ky s’mund ta kalojë atë pa kaluar mbi trupat tanë. Edi Rama të matet mirë, do ta paguajë me të gjithë çmimet e merituara po qe se guxon të konkludojë një marrëveshje të tillë”,

u shpreh ish-Kryeministri.

Berisha foli edhe për përjashtimin nga seanca e sotme parlamentare të kreut të grupit të PD Edmond Spaho, i cili kërkoi që të diskutohej për ekstradimin në Itali të Nezar Seitit, i njohur si financieri i bandës së “Habilajve”.

Sali Berisha bëri me dije se para dy ditësh Nezar Seiti pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë shqiptare dhe për këtë arsye u ekstradua drejt Italisë nga Ministria e Drejtësisë, pavarësisht se është nën hetim nga Prokuroria shqiptare.

“Në një akt të pashembullt për Parlamentin, përjashtoi kryetarin e grupit parlamentar për të krijuar një situatë në të cilën të kalojë ligjin e hajdutërisë, ligjin për “aeroportin e Vlorës Habilaj”. Çdo vlonjat duhet ta dijë se çfarë është mbi 20 milionë shkon në xhepat e Edi Ramës dhe individëve të tjerë që s’kanë asnjë lidhje me Vlorën dhe Shqipërinë. E bënë këtë akt të paprecedent sepse janë të ngërthyer në një skandal të tmerrshëm, Edi Rama ka përzënë nga Shqipëria, ka ekstraduar personin kyç të bandës së Habilajve me urdhër të Saimir Tahirit, vetëm dy ditë pasi ai kishte shprehur vullnetin për t’u bërë dëshmitar i penduar i drejtësisë. Mjaftoi ky lajm që ai të përzihej me lecka. Ndërprerjen e hetimeve mund ta bëjë vetëm prokurori, askush tjetër. Me këtë akt mendojnë se do t’i shpëtojnë, nuk e dinë që po ngjallin një urrejtje tek shqiptarët”

, deklaroi Sali Berisha.

/tvklan.al