“Fëmijët kurrë nuk mund të jenë mjaft, ato janë jeta e Zotit”

. 31 vjecarja  Lulije Abiu, nuk e ka lexuar këtë thënie të Nënë Terezës, e megjithatë ka sjellë në jetë fëmijën e saj të tetë, një djalë të shëndetshëm. Ajo është nënë e pesë djemve dhe tre vajzave dhe të gjithë gëzojnë shëndet të plotë.

Lulije Abiu, nëna e tetë fëmijëve: “Mirë i kam pas, nuk kam vuajtur shumë nëpër spitale. Vetëm atë të voglin e kam pak alergjik.”

Ka qenë 21 vjeçe kur ka lindur djalin e parë dhe që prej asaj kohe asnjëherë nuk ka abortuar. Bashkëshorti i saj kërkon të ketë 10 fëmijë, ndaj ky çift nuk do të ndalet në numrin tetë.

“Janë punët e Zotit.”

Fëmijën e fundit e ka lindur në shtëpi dhe gruaja nuk ka pasur frikë nga ky proces. Në maternitetin e Lushnjes i është dhënë ndihma e menjëhershme dhe personeli mjekësor është habitur me lehtësinë e kësaj gruaje të re që solli në jetë fëmijën e tetë pa asnjë problem.

“Kjo lindja e fundit me thënë të drejtën ka qenë shumë e kollajtë. Kam lindur në shtëpi dhe kam ardhë e lindur këtu.”

Infermierja:

“Ka qenë lindur bebi. Pastaj kemi hequr këtu palcentën, kemi përpunuar bebin.”

Lulija është nga Kukësi, kurse bashkëshorti i saj nga Dibra. Prej disa vitesh jetojnë në fshatin Mertish të Lushnjes. Kryefamiljari merret me blektori e ajo me bujqësi.

Në maternitetin e Lushnjes këtë vit numri i lindjeve është përgjysmuar në krahasim me një vit më parë. Sipas statistikave, deri tani numërohen 517 lindje nga një mijë që kanë qenë në 2017-n.

Tv Klan