Ambasadori Donald Lu thotë se hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri së shpejti mund të konkludojnë me ndjekje penale. Gjatë intervistës në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Lu u shpreh se qeveria amerikane beson se hetimi ndaj Tahirit duhet të bëhet nga një gjykatës me integritet që të vlerësojë me transparencë provat për këtë çështje, një pjesë e të cilave janë bërë publike edhe në media.

Blendi Fevziu: Po, ata janë gangsterët, personat e trafiqeve, dhe të tjerët. Unë flas për personat e fuqishëm, me kostume, me kostume shumë të shtrenjta, të cilët qëndrojnë çdo ditë në baret e restorantet e Tiranës dhe nuk ndëshkohen kurrë.

Ambasadori Lu:

Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante. Shikoni çështjen kundër Adriatik Llallës. Ka shumë në media tani lidhur me këtë çështje. Po hetohet për korrupsion. Qeveria e SHBA po ndihmon në atë hetim. Shikoni Saimir Tahirin – ish-Ministri i Brendshëm shumë i fuqishëm. Po hetohet dhe besoj se jemi pranë ndjekjes penale në këtë çështje. Fran Frrokaj, Kryebashkiaku i Lezhës…

Blendi Fevziu: Pse mendoni se jemi pranë kësaj …

Ambasadori Lu:

Më lejoni të mbaroj në fillim. Fran Frrokaj, Kryebashkiak i Lezhës, tashmë në arrest shtëpiak për korrupsion; dhe Elvis Roshi, ish-Kryebashkiak i Kavajës, kërkohet për ndjekje penale nga ky prokuror për falsifikim dokumentash dhe se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit për një dënim për përdhunim në grup në Itali. Saimir Tahiri…

Blendi Fevziu: Po, pse thoni se jemi afër përfundimit të çështjes Tahiri?

Ambasadori Lu:

Nuk jemi pranë përfundimit të çështjes, por është pozicioni i Qeverisë së SHBA dhe i Ambasadës së SHBA…

Blendi Fevziu: Cili është pozicioni i Qeverisë së SHBA?

Ambasadori Lu: ..

.se çështja kundër Saimir Tahirit meriton të vendoset nga një gjykatës, jo të vendoset nga politikanët, jo të vendoset nga prokurorët që nuk bëjnë punën, por duhet të vendoset nga një gjykatës që do të shohë me transparencë provat e çështjes. Kemi parë tashmë në media shumë prova…

Blendi Fevziu: A njihni ndonjë gjykatës në këtë vend, Ambasador, në 28 vite, që mund të dënojë një politikan?

Ambasadori Lu:

Kemi …

Blendi Fevziu: Më thoni vetëm një …

Ambasadori Lu:

Tashmë kemi parë nëpërmjet procesit të vetingut aftësinë për të larguar gjyqtarë nga vetingu. Jam besimplotë se tashmë sistemi juaj i drejtësisë është më i pastër sot se sa ishte tre muaj më parë kur kjo filloi. 

Blendi Fevziu: Por është më pak i pastër se sa mendonim më parë…  

Ambasadori Lu:

Nuk jam i sigurt se çfarë mendonit më parë. Patjetër është një sistem gjyqësor me shumë probleme por është në proces pastrami. Më lejoni t’ju jap një shembull tjetër.

Blendi Fevziu: Po flas për vetingun. Personat që mendonin se vetingu do pastrojë pak a shumë të gjithë sistemin, por tani mendojnë se në fund, vetingu do të jetë vetëm për disa dhe jo për një sasi të madhe.

Ambasadori Lu:

Reforma në drejtësi është për të gjithë sistemin. Vetingu është për 800 gjyqtarë dhe prokurorë. Për politikanët, për zyrtarët e tjerë, keni Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion – SPAK, dhe Byronë Kombëtare të Hetimit – BKH, të cilat kanë përgjegjësinë të merren me krimin e organizuar si dhe korrupsionin e nivelit të lartë; kështu që personat për të cilët flet, personat me kostum, janë përgjegjësi e SPAK dhe BKH.

/tvklan.al