“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata e dytë



“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata e dytë

23:51 09/01/2006

Programi “Këngët e Shekullit” në Televizionin Klan ka risjellë hitet e muzikës shqiptare që na kanë shoqëruar për vite me radhë.

Përveç këngëtarëve “big” në edicionin e dytë të spektaklit “Këngët e Shekullit” kanë interpretuar edhe këngëtarë të rinj të cilët kanë përjetuar një eksperiencë të veçantë në atë skenë.

“Katër prej këngëtarëve të rinj do të këndojnë përkrah këngëtarëve “big” dhe kjo zgjidhje bëhet nga vetë ata”, tha prezantuesi Pandi Laço.

Natën e dytë të Edicionit të dytë e hapi me këngën “Natë Gusht, natë prush” këngëtarja Mariza Ikonomi.

“Veç një herë jetojmë” me muzikë të Pirro Çakos dhe tekst të Agim Doçit ishte kënga e dytë interpretuar nga Anjeza Sahini.

Eranda Libohova ishte këngëtarja e tretë që interpretoi një këngë hit të viteve 60-70, “Unë jam një vajzë”.

“Sot ora 7” ishte kënga e radhës interpretuar nga Sherif Merdani që është kënduar edhe në anketimin muzikor të qytetit të Durrësit më 1972 ku edhe është shpallur fituese.

Kënga “Na lini të jetojmë”, kompozuar nga këngëtari Elton Deda u risoll në “Këngët e Shekullit” nga këngëtarja Vesa Smolica në një version ndryshe.

“Pyes lotin” na kujton debutimin e shkëlqyer të Elsa Lilës më 1996-ën, kënga fituese e çmimit të parë në Festivalin e RTSH është interpretuar nga këngëtarja Xhejsi Jorgaqi.

Kompozitori Mark Kaftalli ishte i ftuari special i natës së dytë të edicionit të dytë të spektaklit “Këngët e Shekullit” i cili ishte një nga autorët e gjeneratës së parë të muzikës së lehtë. Ai tregoi detaje rreth karrierës së tij artistike dhe kënga e njohur “Lule të bukura sjell Pranvera” kompozuar prej tij u interpretua nga këngëtarët Orgesa Zaimi, Samanta Karavella, Klajdi Musabelliu dhe Mateus Frroku.

Klajdi Musabelliu po ashtu interpretoi një këngë të vitit 1965 “Qeshu vogëlushi im”, kompozuar nga Bepin Pici.

Grupi “Qelbaniks” interpretoi një nga këngët më të bujshme të viteve 80-të “Lot me ty o djalë”.

“Kur jam pranë teje” është kënga e famshme teksti i së cilës është shkruar nga shkrimtari Dionis Bubani i cili ia dedikoi bashkëshortes së tij Afërditës. Kënga u interpretua nga këngëtarja Evis Mula.

Një tjetër interpretim ishte ai i vëllezërve korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, “Ne lindëm në Pranverë”.

Kompozitori Dorjan Nini ishte një tjetër i ftuar special i natës së dytë të edicionit të dytë të “Këngët e Shekullit”. Ai tregoi për fillimet në karrierë në vitet 70-të.

“Biçikleta” e shkruar nga Françesk Radi u risoll nga edhe një herë nga këngëtari Redon Makashi.

Ndërkohë Mira Konçi interpretoi një këngë të viteve ’72 të titulluar “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”.

Kënga e fundit incizuar për Anita Taken më 1982-shin, kompozuar nga Agim Prodani është risjellë në natën e dytë nga këngëtarja Eneda Tarifa.

/tvklan.al






Të ngjashme