Nata e gjatë e edicionit të dytë “Këngët e Shekullit” është hapur me një këngë që dikur është kënduar nga këngëtarja e madhe Vaçe Zela. Kënga “Jeho” është riorkestruar nga Edmond Zhulali dhe është interpretuar nga Anjeza Shahini.

Për artistët që kanë vite në karrierë dhe janë ende në aktivitet përdoret një epitet, i paoksidueshëm. Kjo gjë mund të thuhet edhe për Sherif Merdanin i cili risolli këngën “Takim pas vitesh” një kompozim Ferdinat Dedës kënduar në vitin 1984.

Xhejsi Jorgaqi ishte këngëtarja e tretë që performoi në “Këngët e Shekullit” me një këngë të orkestruar nga Gjergj Jorgaqi, babai i këngëtares.

Një tjetër hit i muzikës shqiptare ka qenë edhe “Një këngë për ty”, që u këndua nga Klajdi Musabelliu.

“Buka e duarve tona” është një këngë kompozuar nga Kujtim Laro dhe me vargje të poetit Xhevahir Spahiu, u risoll në natën e gjashtë nga këngëtarja Vesa Smolica.

Më 1982 në festivalin e 21 të këngës  u prezantuan një mori këngësh të bukura që kanë mbetur në kujtesën e shqiptarëve. Një ndër ta ishte edhe “Kur zemrat rrahin si një zemër”, kompozuar nga Kujtim Laro dhe risjellë në “Këngët e Shekullit” nga Evis Mula.

“E adhuroj” ishte një tjetër këngë që u risoll në natën e gjashtë nga vëllëzërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti.

Vokali i tij karakteristik është i pangatërrueshëm. Nikolin Gjergji ishte i ftuar në natën e gjashtë të “Këngët e Shekullit”. Ai është nipi i pionerit të muzikës së lehtë shqiptare Pjetër Gjergji, i cili ishte artisti i parë që ka incizuar pllakat e para të muzikës së lehtë. Traditë të cilën e vijoi edhe Nikolin Gjergji.

Mira Konçi ishte këngëtarja e radhës e cila interpretoi këngën “Nuk kërkoj tjetër njeri” me vargje të Elton Dedës dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit.

“Pranvera e jetës tonë” me vargje të Betim Muçës, ishte një tjetër këngë interpretuar nga këngëtarja Eneda Tarifa.

Kënga “Një mëngjes” me vargje të Agim Doçit u interpretua nga Eranda Libohova.

“Kënga e gjeologes” ka qënë një tjetër hit që u risoll në “këngët e Shekullit” nga këngëtari Redon Makashi.

Një nga këngët më të bukura të fillimit të viteve 70-të “Shqipëria përshëndet” u interpretua nga Mariza Ikonomi.

Këngëtarja Alida Hisku ishte një tjetër e ftuar e natës së gjatë e cila surprizoi publikun teksa hyri në skenë duke kënduar bashkë me Mariza Ikonomin. Hisku po ashtu interpretoi me Nikolin Gjergjin dhe vëllezërit Endri dhe Stefi duke përmbyllur kështu natën e gjashtë të “Këngët e Shekullit”.

/tvklan.al