“Këngët e Shekullit” janë një prej prodhimeve të Televizionit Klan që ka risjellë në kujtesën e gjithsecilit prej nesh një pjesë të repertorit të muzikës shqiptare.

Ky spektakël riktheu tek publiku emocione të mëdha dhe nostalgji për këngët e vjetra shqiptare.

“Televizioni Klan realizoi një nga projektet më të mëdha të këngës shqiptare “100 Këngët e Shekullit”. Por gjatë realizimit të këtij programi u konstatua se nuk mund të ezaurohej gjithë repertori i muzikës shqiptare me një repertor të vetëm duke realizuar kështu një edicion të dytë. Ky spektakël është emocion, nostalgji, histori dhe sjellë personazhe të famshëm të muzikës sonë

”, tha prezantuesi Pandi Laço gjatë prezantimit të spektaklit në natën e parë të edicionit të dytë të “Këngët e Shekullit”.

Robert Radoja ishte dirigjenti i orkestrës së edicionit të dytë të spektaklit.

Edicioni i dytë nisi me një hit të viteve 60-të “Nuk e fshehim dashurinë” e cila në atë kohë u bë e njohur me titullin “Ndrisni ju llamba neoni” kompozitori i së cilës ishte dirigjenti i parë i festivalit të parë të këngës në radio, Kristo Kote. Kjo këngë u interpretua nga këngëtarja Evis Mula.

“Trëndelinë dhe këngë” ishte kënga e dytë, me muzikë të Avni Mulës dhe tekst të Hysni Milloshit interpretuar në “Këngët e Shekullit” nga këngëtarja Eneda Tarifa.

Kënga “Zemra e një gruaje” është versioni i pakrahasueshëm i Aleksandër Gjokës, i cili është edhe autori i saj, por në edicionin e dytë në “Këngët e Shekullit”, kjo këngë është interpretuar nga këngëtari Redon Makashi.

“Thuaja rini” është një krijim i Agim Krajkës dhe është interpretuar nga këngëtarja Mira Konçi.

“Në çdo zemër një herë troket” ishte kënga e radhës interpretuar nga Klajdi Musabelliu.

Kënga me titull “Shiu i verës” ishte kënga e  shtatë interpretuar në edicionin e dytë në natën e parë të spektaklit “Këngët e Shekullit” nga Vesa Smolica.

“Më dhe dritë nga syri yt” u interpretua nga këngëtarja Samanta Karavella.

Në edicionin e dytë të “Këngët e Shekullit” u rikthye pas 17 vitesh si e ftuar speciale edhe këngëtarja Nertila Koka e cila interpretoi një nga këngët e saj të titulluar “Më prit”.

Kënga “Dashuria” u interpretua nga këngëtari Mateus Frroku.

Fituesja e asaj kohe e “Star Akademisë” Ajkuna, ishte po ashtu një nga pjesëmarrëset e edicionit të dytë të “Këngët e Shekullit” e cila interpretoi këngën me titull “Kur të jesh mërzitur shumë”.

“Kënga e nënës” me tekst të Agim Shehut u interpretua nga këngëtarja Orgesa Zaimi.

“Valsi i lumturisë” me tekst të Luigj Gurakuqit dhe muzikë të Avni Mulës u interpretua nga këngëtarja Xhejsi Jorgaqi.

Këngëtarët Endri dhe Stefi Prifti po ashtu interpretuan “Këngën e mjekut”.

“Portreti yt” ishte një tjetër këngë interpretuar në natën e parë nga këngëtarja Anjeza Shahini.

Eranda Libohova po ashtu ka interpretuar këngën “Festë në malësi”.

“Në ekranin e televizorit” ishte kënga e cila u interpretua nga këngëtarja Mariza Ikonomi.

Një tjetër i ftuar special i edicionit të dytë ishte edhe këngëtari Sherif Merdani, i cili interpretoi këngën me titull “Shokë të vërtetë” duke përmbyllur kështu natën e parë të këtij edicioni.

 /tvklan.al