“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata e tretë



“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata e tretë

23:03 16/01/2006

Ndryshe nga dy puntatat e para të edicionit të dytë, puntata e tretë e spektaklit “Këngët e Shekullit” në Televizionin Klan është shoqëruar me shkrime të viteve 1974.

“Në pleniumin e katërt të Komitetit Qendror të Partisë, shoku Enver tërhoqi vëmendjen mbi disa çështje të forcimit të anës edukative të shkollës, si dhe luftës kundër shfaqjeve të konservatorizmit dhe liberalizmit. Është një shkrim i një mësuesi në atë kohë. “Një ndikim negativ pati tek ndonjë i ri ndonjë program artistik i dhënë në Pallatin e Kulturës. Disa nga nxënësit filluan të mos pëlqejnë muzikën tonë, të nënvlerësojnë veglat tona muzikore popullore. Këta tipa visheshin keq, nuk frekuentonin rregullisht shkollën, por këta ishin si pikë shiu në det përpara masës së shëndoshë të nxënësve dhe mësuesve. Sot në shkollën tonë nuk thotë më askush ç’më duhet shkolla apo ç’e dua çiftelinë përpara muzikës ritmike” ky ishte një artikull i asaj kohe, citoi drejtuesi i emisionit nga revista “Ylli” e viteve ’74.

Në këto vite, Luan Zhegu kompozoi një nga këngët më të bukura që i dedikohet figurës së mësuesit “Mësuesi i parë” me tekst nga Tonin Miloti, u interpretua për herë të parë nga Gjergj Sulioti. Dhe ishte pikërisht kjo këngë orkestruar nga Adrian Hila, e cila hapi natën e tretë të edicionit të dytë të “Këngët e Shekullit”, kënduar nga vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti.

“Mes nesh është dashuria” një krijim nga Flamur Shehu dikur kënduar nga Parashqevi Simaku në edicionin e dytë u risoll nga këngëtarja Mira Konçi.

Sherif Merdani ishte këngëtari i tretë i cili këndoi këngën “Zemra det i gjërë”.

“Fqinja” ishte një tjetër këngë me muzikë të Kastriot Gjinit, tekst të Shaban Muratit dhe që u këndua nga këngëtari Redon Makashi.

“Horoskopi” kompozuar nga Pirro Çako, mbi vargjet e Agim Doçit, orkestruar nga Edmond Zhulali, u interpretua nga këngëtarja Orgesa Zaimi.

Samanta Karavella ishte këngëtarja e cila interpretoi këngën “Zemra t’fal”.

I ftuari special i natës së tretë ishte këngëtari Francesk Radi i cili foli për vitet e hershme të muzikës së lehtë shqiptare.

“Ka qenë periudha më e bukur e jetës sime dhe miqve të mi. Ne e filluam karrierën në vitet 70-të kur ishin vitet e arta të muzikës botërore. Ne me kitarë këndonim tek Liqeni apo nëpër plazhe. Në atë kohë ishim vërtetë muzikantë të rinj dhe filluam të mendojmë ndryshe për muzikën. “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë këngët e mia të para dhe “Biçikleta ka qenë videoklipi i parë shqiptar”, tregoi Radi.

“Nënave shqiptare” ishte një tjetër këngë e cila u interpretua nga këngëtarja Mariza Ikonomi.

“Nuk iu zemërova Pranverës” kompozuar nga Luan Zhegu, me vargje nga Irma Kurti, u risoll në “Këngët e Shekullit” interpretuar nga Mateus Frroku.

Në vitin 1970 kënga “Udhëtuam sëbashku” dëgjohej kudo, me vargje të Spiro Gjikondit kënga u interpretua nga këngëtarja Eranda Libohova.

Enver Shëngjergji ishte një tjetër i ftuar i natës së tretë të edicionit të dytë të “Këngët e Shekullit”.

“Suksesin e nisjes së rrugës së artit unë ia dedikoj mjeshtrit Agim Prodani dhe mësueses time Efgjeni Kashara. Këto më futën në rrugën e artit”, tha Shëngjergji.

“Bashkëmoshatarëve” kompozuar nga Gjergj Leka dhe riorkestruar po ashtu prej tij, u interpretua nga këngëtarja Eneda Tarifa.

Evis Mula interpretoi një nga krijimet më të bukura të Gazmend Mullait “Kthehu për vete, për mua”.

“Nënë moj do pres gërshetin” një këngë që dikur është interpretuar nga e madhja Vaçe Zela është rinterpretuar nga këngëtarja Anjeza Shahini për të përmbyllur natën e tretë të edicionit të dytë të spektaklit “Këngët e Shekullit”.

/tvklan.al






Të ngjashme