Video/ “Babai ndërroi jetë që unë të bëhesha me fëmijë”, historia e Evës dhe lidhja e veçantë me hallat e saj

Video/ “Babai ndërroi jetë që unë të bëhesha me fëmijë”, historia e Evës dhe lidhja e veçantë me hallat e saj

19:39 29/04/2018

E diela e fundit e Prillit solli plot emocione në “Ka një mesazh për ty”. Eva kishte thirrur në studio tri hallat e saj, me profesion mësuese. Ato kanë pasur dhe kanë një rol të veçantë në jetën e Evës dhe ajo është në studio për t’u shprehur gjithë mirënjohjen dhe dashurinë. Në familjen e tyre vërtet nuk kanë munguar fatkeqsitë dhe problemet, por ata kanë qëndruar gjithnjë të bashkuar.

Eva tregon me dhimbje humbjen e babait, ngjarje e cila i ka lënë shumë gjurmë, pikërisht sepse ndodhi në momentet kur ajo kishte më shumë nevojë. Pavarësisht të gjithave, ajo është një grua e fortë e rrethuar me plot njerëz që e duan dhe me dy fëmijë, të cilët ajo i ka dëshiruar dhe ka luftuar shumë vite për t’i pasur.

Eva:

Unë sot këtu kam sjellë tre hallat e mia. Janë tre halla me halle. Janë tre halla plot me thinja në kokë dhe po aq të mira kanë. Janë hallat më të mira në botë. Janë bashkëshorte të dedikuara, janë gjyshe të përkushtuara, janë mësuese nderi në Elbasan. Janë figura të respektuara, po Zoti deshi t’i plagosi. Hallat e mia kishin një vëlla të vetëm e kishin si dritën e syve, babin tim.

Gjyshja ime ka vdekur në moshë të re dhe babai ngeli jetim, kështu që hallat u kujdesën për të. E rritën e martuan. Babai im vdiq në vitin 2012, kur kisha më shumë nevojë për të.

Ardit Gjebrea: Pse thua që kishe më shumë nevojë për të?

Eva:

Unë kisha shumë vite që po përpiqesha për një fëmijë. Kam shkuar nga njëri spital te tjetri anë e mbanë botës. Kam bërë 12 fekondime artificiale që rezultuan të dështuara.

Eva tregon vështirësitë me të cilat është përballur gjatë viteve kur po përpiqej aq shumë të kishte një fëmijë:

U bëra armike me Zotin, me të gjithë. Ndihesha xheloze për gratë që shihja që kishin barkun e madh dhe unë jo

.

Pasi më vdiq babi, që ditën që më vdiq çdo natë e shihja në ëndërr. Më thoshte “do të bësh një vajzë të bukur, do ia vësh emrin Jasemina”. Më thoshte shko për të provuar sërish për një bebe. Unë atë kohë do nisesha për në Turqi.

Shkoj te halla dhe i kërkoj mendim. Më tha nisu, babai të ka dhënë bekimin. Më tha babai ka shkuar atje që të të japë ty një fëmijë. U bëra shumë keq.

Eva thotë se ajo beson se i ati ishte shkëmbyer me fëmijën e saj që do të vinte në jetë më vonë. Ajo në njëfarë mënyre nënkupton se duhej të bëhej “kurban” babai që ajo të bëhej me fëmijë.

U nisa për në Turqi. Megjithëse doktoresha atje nuk ishte dakord që unë të provoja përsëri për shkak se 12 herë fekondim artificial është i dëmshëm për trupin dhe mendjen e femrës, unë përsëri bëra një të 13-të. Doktoresha duke qarë më jep lajmin e bukur që unë prisja dy fëmijë.

Nga momenti që mora vesh këtë lajm, për tre muaj babai më ka dalë çdo natë në ëndërr, më prekte barkun. Një natë pas 3 muajsh shtatzëni, më doli në ëndërr dhe më tha “do bësh vetëm një vajzë, por mos u mërzit”. Unë u zgjova e trembur dhe pashë gjak gjithandej. Më dërguan në spital me urgjencë, humba njërën nga bebet, ishte djalë. Megjithatë nuk qava, u bëra e fortë, mendova për beben që po rritej në trupin tim. Nuk doja të derdhja asnjë pikë lot gjatë gjithë shtatzënisë. 

Unë gjeta më pas forcën te bija ime, Jasemina. Gjatë kohës kur ishte foshnje, ajo qante shumë dhe gjente qetësi vetëm pasi unë i vija pranë foton e babait tim. Babai im lart në qiell ishte ëngjëlli im dhe i fëmijëve të mi, sepse më vonë u bëra edhe me një djalë.

Ardit Gjebrea: Dalim te hallat e tua...

Eva:

Halla ime e madhe është nga ato gra që nuk i bie një fjalë poshtë. Është nga ato gra që kanë lindur për të shërbyer dhe për të mos u ankuar kurrë. Është martuar në derë bejlerësh, është persekutuar është bastisur. Ja kanë marrë nga trupi stolitë, rrobat, shtëpinë, pronat dhe nuk e ka ulur kokën kurrë.

Ardit Gjebrea: Pse i ke thirrur të trija?

Eva:

I kam thirrur të trija sepse që ditën që më vdiq babi nuk kam mundur të iki shpesh në Elbasan. Sepse nuk iki dot. Sa herë që shkoj ndjej sikur babai do të dalë nga dhoma e gjumit...

Të tri zonjat, Natasha, Lumturia dhe Shpresa e pranuan me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e “Ka një mesazh për ty”. Ashtu siç edhe Eva, mbesa e tyre i përshkroi, ato të trija karakterizohen nga një qetësi, portret i ngrohtë dhe mishërim i mirësisë dhe dashurisë. Të trija nuk ngurojnë të falënderojnë edhe moderatorin Gjebrea që i mirëpriti në studio duke iu dhënë shansin të çmallen edhe me njëra-tjetrën. Të pyetura nëse kanë ndonjë ide se kush mund t’i ketë thirrur, ato mendojnë menjëherë për fëmijët e vëllait të tyre të ndjerë.

Mesazhi në studio:

Gjithë jetën keni vuajtur. Gjithë jetën u keni shërbyer të tjerëve, nuk u dorëzuat kurrë, nuk e ulët kokën kurrë. Po unë jam plagosur. Kur vdiq babi, ju keni thënë disa fjali të hidhura dhe mua nuk më erdhi mirë. Ju qortonit Zotin pse nuk ju mori juve. Fakti që nuk vi dot shpesh në Elbasan, nuk do të thotë që nuk më merr malli për juve. Po ju e dini që e kam pak të vështirë të vij. Te të tre fytyrat e hallave shoh babain tim. Ato janë pjesë e shpirtit tim.

Hallë Lumturia:

Edhe te neve je ti, bashkë me Elion. Të dy ju jeni amaneti i vëllait tonë. Jeni shpirti, zemra jonë. Ne duam që ju të jeni të lumtur dhe t’ju lëmë mbrapa me gjithë të mirat e botës. Babin do ta kujtojmë gjithmonë.

Hallë Shpresa:

Ti, Elio, mamaja jote, mamaja jote është pjesë e jona.

Ne nuk jemi tre motra, ne jemi katër. Nuk kemi vetëm fëmijët tonë, por edhe ju të dyve

./tvklan.al 

 
Të ngjashme
UKT