Dashuria, sakrifica e nënës për fëmijën, është arsyeja që ka sjellë sot Elenën, një vajzë 17-vjeçare, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, te “ E diela shqiptare”. Pavarësisht se panorama e familjes së saj, nuk është ajo që çdo fëmijë do të ëndërronte, ajo, vëllai dhe mamaja e tyre kanë qenë gjithmonë të bashkuar. Elena ka ardhur për të falenderuar mamanë e saj e cila ka luajtur rolin e nënës dhe të babait për ta. Thonë se çfarë nuk të vret, të bën më të fortë dhe këtë e dëshmojnë më së miri  protagonistët e kësaj të diele.

Elena:

Unë jam Elena, jam 17 vjeç, vij nga qyteti i Bulqizës. Unë dhe familja ime jetojmë te shtëpia e dajës në Durrës, sepse babai vendosi të na braktisë.

Ardit Gjebrea: Si ju braktisi?

Elena:

Babai i dha mamasë sime disa dokumente për të firmosur, gjoja do të shkonim të gjithë si familje në Itali. Mami, duke i besuar verbërisht, i firmosi ato. Por ato dokumente kishin qenë për shitjen e shtëpisë. Ai kishte vendosur të largohej vetëm në Itali, pa ne. Kaluan disa ditë dhe na thanë të largoheshim nga shtëpia, sepse shtëpia ishte shitur. U detyruam që të iknim te shtëpia e gjyshërve.

Unë isha vetëm tre vjeç, ndërsa vëllai katër. Pritëm disa muaj dhe ai më në fund mori mamin në telefon. E vetmja gjë që i tha ishte “unë kam ndërtuar jetën time këtu, ti vazhdo me tënden”.

Elena tregoi për periudhën e vështirë që ka kaluar duke pritur kthimin e babait të saj, gjë që nuk ndodhi kurrë. Ditët, muajt, vitet kalonin dhe ai nuk kujtohej kurrë për familjen. Elena tregon për momentin kur e takoi pas disa vitesh, pasi ai u kthye nga Italia:

“Shkuam në Bulqizë pasi morëm vesh që ai kishte ardhur te prindërit e vet, vendosëm të shkonim ne. Ishim akoma të vegjël por donim një shpjegim. Erdhi na takoi, tha që ishte penduar dhe do kthehej prapë”.

Ardit Gjebrea: Takimin e parë me babin, ti dhe vëllai, si e përjetuat?

Elena:

Nuk e njihnim fare. Pavarësisht se mami na tregonte gjithmonë fotot e atij, na thoshte gjithmonë, pavarësisht gjithçkaje, ky është babai juaj. Ai na takoi, na përqafonte. Na tha që duke filluar nga sot ne do jemi familje si më parë. Do kujdesem për ju, do ju lë numrin tim të telefonit. Por nuk e mbajti premtimin, iku të nesërmen direkt në Itali dhe s’na u përgjigj më kurrë në telefon.

Ai nuk ishte me ne kur kishim më shumë nevojë për të.

Në Gusht të 2017, vendosëm të shkonim për pushime në Itali pasi edhe dajat dhe tezet jetojnë atje. Ne menduam të shkonim ta takonim babin duke qenë se këtë herë ishim më të rritur. Ai na shikonte me një nënqeshje, dukej sikur nuk i interesonim fare.

Ardit Gjebrea: Po përse shkuat ta takonit atëherë?

Elena:

Donim shpjegim, donim arsyen pse s’ka qenë me në gjatë gjithë kohës. Ai mendonte se gjithçka mund të blihej me para, edhe dashuria e fëmijëve. Por ne nuk kishim nevojë për para sepse falë dajës dhe tezeve nuk na ka munguar asgjë.

Elena vazhdoi më tej duke treguar se sa shumë mamaja e saj kishte vuajtur dhe sakrifikuar gjatë gjithë jetës.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është mami sot?

Elena:

Mami është 40 vjeç. Babai e ka lënë që në moshën 26 -vjeçare.

 Sot kam ardhur t’i them mami që ajo nuk është vetëm. Ne jetojmë në shtëpinë e dajës. Ai kalon shumë kohë pranë nesh dhe që në moshën 13-vjeçare ka dalë të punojë për ne. Nuk është martuar vetëm për të na mbajtur ne.

Enea, gazetari i rubrikës “Ka një mesazh për ty”, vajti në qytetin e Durrësit për t’i dërguar mesazhin zonjës Manushaqe, mamasë së Elenës.

Manushaqja e pranoi ftesën dhe erdhi me kënaqësi në studion e së Dielës Shqiptare.

E pyetur nga Gjebrea nëse kishte ndonjë ide se kush mund ta kishte ftuar, ajo tha se dyshonte te vajza e saj. Prandaj edhe nuk u surprizua kur në ekran u shfaq e bija, Elena.

Mesazhi i Elenës për mamanë:

Mami si fillim dua të të falenderoj shumë, për gjithë kujdesin e treguar ndaj nesh, per faktin që mbylle jetën tënde vetëm për të ndenjur me ne. I di shumë mirë sakrificat e tua, edhe pse nuk e ke shfaqur veten, e di shumë mirë çfarë ke kaluar. Nuk dua të të shoh më të mërzitur, për të menduar për gjërat që kanë kaluar. Falenderoj dajën që falë tij jemi mirë dhe nuk na ka munguar asgjë. Premtoj që unë do të ndjek shkollën, të të bëj krenare.

Manushaqja u shpreh se dëshironte që fëmijët e saj të ishin të suksesshëm në jetë. Ajo tha se nuk do të dëshironte të kalonin atë që ajo kishte kaluar.

Stafi i së dielës kishte menduar edhe për djalin e saj, Erneston i cili jeton prej një muaji në Itali. Ata i kishin dhënë mundësinë që ai të përcillte një mesazh për nënën e tij nëpërmjet nje videoje.

Ernesto:

Përshëndetje mami. Dua të falenderoj motrën time dhe zotin Ardit Gjebrea për këtë mundësi që na dha. Në radhë të parë dua të të falenderoj për çdo gjë që ke bërë deri më sot për ne, nga momenti që kemi hedhur hapat e parë, deri më tani. Ti ke qenë një prind shembullor për ne, edhe për këtë falenderoj Zotin që më dha një nënë të mrekullueshme si ti. Në radhë të dytë, doja të të thoja që unë do të jem krahu juaj për çdo gjë, deri në fund të jetës unë do të jem me ju. Ti je e shtrenjta jonë dhe s’do të të lëmë asnjëherë vetëm, ti për mua je nënë dhe baba, ju dua shumë!

Manushaqja: Shumë faleminderit. Të dy janë dritë e syve të mi.

/tvklan.al